Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka akuzuar kryeministrin Rama se është argat i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Nga Kuvendi, Berisha tha se ata kanë për qëllim vetëm ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb.
Berisha: Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb. Sipas projektit të serbomadhisë. Ne ramë dakord për një rezolutë, në të cilën mbështetet pikë për pikë, nen për nen rezoluta e Kuvendit të Kosovës. Kurse kreu juaj, Pashiqi shqipfolës, vëllai i Vuçiçit, argati i Vuçiçit, këtu në një fjalim të stilit të Muamer Gadafit, një orë e gjysmë, bëri gjithçka për të vazhduar përçarjen midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sulmoi egërsisht kryeministrin e Kosovës. Përsëri shpalli projektin e ndarjes së Kosovës, të vendosjes së veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it. Përsëri përsëriti tezat e Vuçiçit për tokën e askujt. Përsëri foli për dallime ideologjike.
Më tej, Berisha tha se “fati i kryeministrit Rama është i lidhur për jetë dhe vdekje me atë të Aleksandër Vuçiçit.” Sipas Berishës, kreu i qeverisë është peng dhe argat.
Berisha: Po ai është pazgjidhshmërisht i lidhur me padronin e tij. Në histori, ky është i vetmi në Europë, që jashtë çdo lloj turpi, shpall Vuçiçin si faktor paqeje. A e dëgjoni që nuk përmend ndonjëherë Serbinë, në një kohë kur rezoluta që do votojmë, fillon me agresionin e Serbisë në Kosovë, vazhdon me agresionin e Serbisë në Kosovë? Guxon ky ta përmendë Serbinë? Jo mo kurrë. Ky është peng, ky është argat, ky ka firmosur diku për të ndarë Kosovën me oreksin e Serbisë.