Të paktën 13 persona kanë ndërruar jetë dhe rreth 50 janë plagosur pasi 2 trena pasagjerësh u përplasën mbrëmjen e së dielës në Vizianagaram të Indisë.

Zyrtarët thanë se tre vagona të një treni pasagjerësh, që udhëtonte midis Visakhapatnam dhe Palasa, dolën nga shinat pasi treni u godit nga një tjetër. Treni ishte ndalur në shina për shkak të një difekti, kur një tren i dytë i pasagjerëve që udhëtonte midis Visakhapatnam dhe Rayagada u përplas në të nga prapa.

Një operacion shpëtimi filloi dhe qindra punonjës të urgjencës nisën punën për të kërkuar për jetë nën rrënoja. Qindra ambulanca, mjekë, infermierë dhe personel shpëtimi u dërguan në vendngjarje për të shpëtuar pasagjerët dhe për të nxjerrë trupat.

Shefi i Marrëdhënieve me Publikun e Hekurudhave të Bregut Lindor, Biswajit Sahu, tha se referuar një hetimi paraprak, shkak për përplasjen e trenave është bërë një gabim njerëzor. Kryeministri Narendra Modi shprehu ngushëllimet e tij dhe tha se ishte në kontakt me ministrin e hekurudhave të Indisë.