Një pikë e 13-të është futur me urgjencë në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, e parashikuar të mbahet ditën e premte në orën 14.00.

Pika shtesë ka të bëjë me rritjen e tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimit e trajtimit të ujërave të ndotura, propozuar nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës.

“PËR MIRATIMIN E PROPOZIMIT TË SHOQËRISË RAJONALE TË UJËSJELLËS KANALIZIME DURRËS SHA PËR PLANIN E RI TARIFOR TË FURNIZIMIT ME UJË TË PIJSHËM DHE LARGIMIT, TRAJTIMIT DHE PËRPUNIMIT TË UJRAVE TË NDOTURA PËR BASHKINË DURRËS”,– shkruhet në pikën 13-të të rendit të ditës.

Në një postim në rrjete sociale, nënkryetarja e KB-së, Edlira Devolli, nga radhët e PD-së denoncon faktin se pasditen e së mërkurës është njoftuar një mbledhje tjetër kryesie, pasi më parë ishte miratuar rendi i ditës me 12 projekt-vendime për t’u kaluar për miratim në KB.

“Pasi kryesia e KB, kishte kaluar rendin e ditës për këtë mbledhje, sot u mbajtën mbledhjet e komisioneve përkatëse. Sot pasdite jemi njoftuar në mënyrë të beftë për një mbledhje kryesie, po sot në orën 17:00. Nga komunikimi në grupin e kryesisë WhatsApp vërehej se 5 anëtarë mund të paraqiteshin dhe 5 të tjerë e kishin të pamundur. Tashmë njoftohemi se kryesia është mbledhur dhe e ka kaluar pikën e 13, për rendin e ditës së premte. Ajo që bën më shumë përshtypje është nguti për të kaluar këtë pikë dhe arroganca e përdorur në vazhdimësi”,- shkruan nënkryetarja Devolli.

Sipas nënkryetares së KB-së, kjo pikë shtesë në rendin e ditës do të rëndojë xhepat e familjeve durrsake, pasi ato do të jenë të detyruar të paguajnë fatura më të shtrenjta.

“Qytetarët do të marrin faturat e ujit më të shtrenjta. Këto janë politikat e PS vendore. Ne do të bëjmë ç’është e mundur, për aq sa përfaqësim kemi për të ndalur turravrapin e korrupsionit të radhës në bashki.”– përfundon postimin e saj Devolli, të cilin e shoqëron edhe me shkresën e datës 1 nëntor, ku administrata e bashkisë Durrës i kërkon Këshillit Bashkiak përfshirjen e pikës shtesë në rendin e ditës.