Me 37 vota kundër, 2 pro dhe 6 abstenimet anëtarët e majtë dhe të djathtë të Këshillit Bashkiak Durrës nuk miratuan propozimin për ndryshimin e tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.
Drejtuesit e të gjitha grupeve të këshilltarëve shprehën mendimin e tyre kundër, propozimit të bërë nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës – Kanalizimeve Durrës.
“Unë po jap opinion në emër të grupit, nuk do ta votojmë”,- deklaroi Rolant Xhelilaj.
Në të njëjtën linjë u shpreh dhe kryetari i grupit të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Dritan Burgija: “Shprehim mendimin tonë kundër, është një pikë që ka një ndjeshmëri të lartë tek qytetarët”.
Kryeinxhinieri i SHRUKD-së, Gerald Dautaj shpjegoi rritjen reale që ka propozuar ndërmarrja për t’u kaluar në KB.
“Një familje normale që shpenzon 20 mijë lekë të vjetra në muaj për faturën e UKD do t’i rritet vlera e faturës vetëm me 500 lekë të vjetra kosto fikse e tarifës. Ka një rritje prej 20 lekë të reja për metër kub për bizneset. Nga 93 mijë kontrata, vetëm 7000 kontrata janë biznes në qytetin e Durrësit. Ka dhe një rritje prej 20 lekësh të reja për m3 për entet publike. Kjo është e gjithë rritja që pasqyrohet për sa i takon furnizimit me ujë”.
Anëtari i Këshillit Bashkiak, Ardian Muka e akuzoi ndërmarrjen e Ujësjellësit për keqmenaxhim fondesh dhe abuzime të tjera, për të cilat iu referua auditeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ndërkohë, kryeinxhinieri Dautaj shpjegoi se përgjatë viteve humbjet në rrjet janë pakësuar ndjeshëm.
“Kur kam nisur punë në vitin 2014, humbjet në rrjet kanë qenë në nivelin 86%, aktualisht janë 70% dhe janë në nivel rajonal, ndërkohë janë në rënie. 70% nuk janë se drejtuesit bënë mrekullinë, por është falë investimeve që janë kryer ndër vite nga ndërmarrja e Ujësjellësit dhe qeveria shqiptare. Humbjet faktike në qytetin e Durrësit janë në nivelin 50% dhe këto nuk janë humbje për shkak të keqadministrimit, por për shkak të amortizimit të rrjetit”.
11 pikat e tjera të rendit të ditës kaluan me 44 votat pro të këshilltarëve të pranishëm, ndërkohë që përjashtim bëri vetëm pika nr.3, e cila ishte hequr nga rendi i ditës, për një saktësim nga ana e bashkisë.
M.B.