Modelja 27-vjeçare, Noam Mazal Ben-David ka rrëfyer momentet dramatike që ajo përjetoi në festivalin Supernova në Izrael më 7 tetor, kur Hamasi nisi sulmin.

27-vjeçarja arriti të arratisej sepse u fsheh poshtë trupit të të dashurit të saj, në pjesën e pasme të një kontenieri, ndërsa organizata palestineze vazhdoi sulmin e saj të përgjakshëm.

Noam, e cila punon si modele, ka kaluar thuajse dy orë duke u shtirur si e vdekur pranë disa kufomave. Mes tyre ishte edhe partneri i saj, David Neman, i cili si dhjetëra të tjerë u qëllua para syve të saj.

Noam dhe i dashuri i saj ishin në mesin e të rinjve të festivalit që vrapuan për të shpëtuar ndërsa persona të armatosur të Hamasit i ndoqën. Ajo vetë u qëllua në këmbë dhe ijë. Pavarësisht gjakderdhjes, ajo arriti të heshtë, pasi vetëm kështu do të mund të qëndronte gjallë.

Si u kthye festivali në një gjakderdhje

Festivali i muzikës Supernova duhet të ishte një festë e “miqve, dashurisë dhe lirisë së pafund”. Në vend të kësaj, e gjithë skena u kthye në një vend torture. Noam dhe shoqja e saj mbërritën në vend në orën 6:30 të mëngjesit të 7 tetorit, të shkujdesur dhe plotësisht të pavetëdijshëm për atë që do të vinte.

“Na rrethuan dhe vazhduan të gjuanin pa pushim. Dëgjova një vajzë të bërtiste: “Të lutem, mos më merr. Më lër të qetë”. Por ata donin ta rrëmbyen atë. I kanë bërë gjëra të tmerrshme, të tmerrshme”, ka thënë ajo për Express.

27-vjeçarja nuk mundi të arratisej me makinën e saj, pasi terroristët kishin bllokuar daljet. Siç kujton ajo, ata thirrën në mënyrë të dëshpëruar të afërmit dhe miqtë duke kërkuar ndihmë ndërsa ndanin vendndodhjen e tyre. Dikush i tha asaj se personat e armatosur e panë atë.

“Hapën një bombë dhe filluan të qëllonin pa pushim”

Noam përshkruan atë që ndodhi më pas.

“Personat e armatosur të Hamasit u afruan, David më mori dhe më hodhi në pjesën e pasme të kontenierit duke më thënë të shkoja sa më thellë që të mundja dhe të fshihesha. Njëri prej tyre u hodh brenda dhe bërtiti ‘Allah Akbar’ dhe një bombë shpërtheu ndërsa qëllonin pa pushim”, tha ajo.

Davidi u qëllua në gjoks. Noam mbylli sytë. Ajo priste që nuk do t’i hapte më kurrë. Por mbijetoi, pavarësisht plagëve me armë zjarri në këmbë dhe ijë.

“Unë u fsheha nën trupin e të dashurit tim, ndërsa Hamasi i vrau të gjithë,” tha ajo.

Personat e armatosur duhet të kenë supozuar se ajo ishte e vdekur, pasi ajo ishte e shtrirë mes kufomave. Më në fund ajo thirri familjen e saj. Ajo u tha atyre se Davidi ishte vrarë.

Më vonë, forcat izraelite të sigurisë e gjetën atë. Nga 16 personat që u fshehën në kontejner, vetëm katër jetuan. Ajo është në mesin e tyre.