Turqia njoftoi se do të dërgojë një tren me më shumë ndihma humanitare për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti në provincën Herat të Afganistanit .

Në një deklaratë, Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) tha se 39 tonë batanije, 8 tonë shtretër, 85 tonë tenda, 40 tonë materiale higjienike, 33 tonë veshje, 15 tonë gjeneratorë, 240 tonë ushqim,  30 tonë pajisje kuzhine, 400 tualete portative dhe 18 tonë ngrohës do të dërgohen në Afganistan.

Muajin e kaluar, tërmetet e njëpasnjëshme në provincën Herat të Afganistanit, që ndodhet në kufirin me Iranin, shkaktuan vdekjen e rreth 2,500 personave, duke detyruar autoritetet afgane të lëshojnë një kërkesë ndërkombëtare për ndihmë.

Ankaraja ka dërguar më parë dy avionë nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, duke transportuar personelin e kërkim-shpëtimit dhe ndihma humanitare në rajon.

Më shumë se 10 tërmete, më i madhi prej të cilëve ishte 6.3, shkaktuan shkatërrime të mëdha në 16 fshatra në rrethin Zindejan të Heratit.