Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako ka marrë pjesë në konferencën e kryetarëve të bashkive “Act Now 2023”, zhvilluar në Komitetin Evropian për Rajonet në Bruksel.
Teksa ka ndarë fotot me ndjekësit në “Facebook”, Sako ka treguar se, ndër të tjera, është ndalur tek “çështjet që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe autonominë vendore, fuqizimin e kësaj autonomie pas reformës administrative territoriale si dhe objektivat që kemi në vijim në funksion të shërbimit sa më të shpejtë e cilësor ndaj qytetarëve”.
Postimi i plotë:
☑️ Në konferencën e kryetarëve të bashkive “Act Now 2023” zhvilluar në Komitetin Evropian për Rajonet në Bruksel në kuadër të European Capital of Democracy Network. Bashkia e Durrësit është anëtare e këtij rrjeti që nga korriku i këtij viti.
Mora pjesë në sesionin me temë “Nxitja e zhvillimit: Fuqia e Autonomisë Lokale”.
▶️ Në panel isha së bashku me Kelmend Zajazi, Drejtori Ekzekutiv i NALAS (Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore) nën moderimin e Thomas Prorok, Drejtor Menaxhues i KDZ (Qendra për Kërkime në Administratën Publike).
📌 Në diskutimin tim prezantova përpara pjesëmarrësve vlerat e jashtëzakonshme të Durrësit, sfidat e zhvillimit të qytetit tonë si dhe projektet madhore që po e transformojnë atë. Më pas u ndala në çështjet që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe autonominë vendore, fuqizimin e kësaj autonomie pas reformës administrative territoriale si dhe objektivat që kemi në vijim në funksion të shërbimit sa më të shpejtë e cilësor ndaj qytetarëve. Shpreha gjithashtu gatishmerinë për bashkëpunime të ngushta me qytete të ndryshme të Evropës në shumë fusha.