Dy ditë më parë, 13 këshilltarë depozituan pranë Këshillit Bashkiak kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për procesin e rindërtimit në Durrës. Shkresa është firmosur nga 13 këshilltarë opozitarë pjesë të grupit të Rithemelimit, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Kjo është hera e parë, në historinë 32-vjeçare të Këshillit Bashkiak shumëpartiak, që depozitohet një kërkesë e tillë, bazuar në ligjin nr.139 “Për qeverisjen vendore” dhe Rregulloren e Funksionimit të Këshillit Bashkiak. Kërkesa e opozitës është rrëzuar në konferencën e kryetarëve, por do të diskutohet në mbledhjen e rradhës së KB-së.

“Bëmë kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor për të gjithë procesin e rindërtimit. Kjo është kërkesë legjitime e opozitës, e cila, si çdo kërkesë tjetër, u rrëzua nga maxhoranca, pa ndonjë argument të qënësishëm. U morën më shumë me pjesën formale të shkresës, sesa me thelbin e gjësë. Tregojnë edhe njëherë që nuk janë aty për të bërë transparencë për qytetarët e Durrësit, nuk janë aty në shërbim të qytetarëve të Durrësit, por janë aty në shërbim të shefave të tyre”,- thotë kryetari i grupit demokrat Dritan Burgija.

Burgija fton maxhorancën socialiste që të bashkojë votat me opozitën, njësoj siç veproi në mbledhjen e fundit, kur projektvendimi për dhënien e miratimit për rritjen e tarifave për ujin e pijshëm dhe kanalizimet u rrëzua me shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm.

“Maxhoranca socialiste duhet të ishte e para, që të shprehej pro ngritjes së këtij komisioni përderisa e trumbetoi me të madhe, që rindërtimi ishte një proces model, një proces i shkuar mirë”,- thotë ai.

Durrësi është qyteti i goditur më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe procesi i rindërtimit ende nuk është përmbyllur, kur edhe pak ditë na ndajnë nga 4-vjetori i kësaj date. Rreth 2500 familje në Durrës prej 7 muajsh nuk marrin më bonus qiraje, ndërkohë që nga 85 pallate me dëme DS4, vetëm në 19 prej tyre kanë përfunduar punimet.

Në të njëjtën kohë nga 48 pallate të miratuara në Këshill Bashkiak për t’u shembur, vetëm 12 prej tyre janë rindërtuar në po të njëjtin vend. Siti i Spitallës, ku po ndërtohen 996 apartamente për të pastrehët e tërmetit ende nuk ka përfunduar.

M.B.