Dietat e njohura sot përqëndrohen në gjithçka, nga fibrat e deri tek yndyrat, por ekziston edhe një dietë e cila përqëndrohet te balancimi i aciditetit në trup. Dhimbjet e shpeshta të stomakut, djegia e urinës, problemet me veshkat mund të vijnë nga lëkundjet e pH në trupin tuaj. Ndoshta është koha për një regjim ushqimor! Mund të ketë kaluar shumë kohë nga momenti kur merrnit mësime kimie ose biologjie, rreth ushqimeve të cilat mund të ndryshojnë aciditetin në trup. Dieta alkaline mund t’ju drejtojë se si t’i përdorni këto ushqime për të marrë disa përfitime shëndetësore. Përfitimet e dietës alkaline thuhet se përfshijnë nivele më të larta energjie, humbje dhjami, rritje të përqëndrimit dhe lëkurë më të pastër, prandaj VIP-at si Victoria Beckham, Gwyneth Paltrow, Alicia Silverstone, Jennifer Aniston, Kirsten Dunst dhe Jared Leto, e preferojnë aq shumë shkruan Class.
Çfarë është saktësisht dieta alkaline?
Kjo dietë bazohet në konceptin që ushqimi pasi të konsumohet dhe metabolizohet të prodhojë acide neutrale ose alkaline. Ushqimet ndahen në alkalin-formuese nëse kanë një ngarkesë negative të acidit, ose acid-formuese nëse kanë një ngarkesë pozitive të acidit. Pra e thënë më thjeshtë, pasi ushqimet treten në trupin tuaj, ato duhet të formojnë alkalinë dhe jo acid.
Cilat janë përfitimet?
Dieta alkaline është në thelb një dietë me bazë bimore. Përfitimet vijnë nga ngrënia e një shumëllojshmërie frutash dhe perimesh dhe pakësimi i pijeve me gaz, kripës dhe alkoolit. Frutat dhe perimet janë të pasura me vitamina, minerale, fibra dhe ngrënia e rregullt e tyre mund të ulë inflamacionin, të përmirësojë shëndetin e zemrës dhe të zvogëlojë rreziqet e diabetit, osteoporozës dhe kancerit. Gjithashtu ju do të ndiheni më energjikë dhe do të keni një tretje më të mirë.
A mund ta rregullojë kjo dietë pH në trup?
Sipas mjekëve, pH ndryshon në varësi të zonave të ndryshme të trupit. Shumë sëmundje si kanceri apo sëmundjet e veshkave tregojnë nivele të larta të aciditetit në trup. Kështu që, një trup i shëndetshëm është i aftë të ruajë ekuilibrin e acidit.
Cilat janë ushqimet që duhet të bëhen pjesë e përditshmërisë suaj sipas kësaj diete?
Duhet të jetë nje dietë e pasur me fruta dhe perime. Duhet të shmangen ushqimet e paketuara ose të konservuara, pijet me gaz, kafeina e tepërt dhe alkooli. Gjithashtu mbështetësit e kësaj diete besojnë se mishi dhe qumështi duhen shmangur për shkak të ‘hirit’ acid që lënë pas. Pra me 80% duhet të kryesojnë frutat dhe perimet dhe 20% mishi, peshku, veza, yndyrnat e shëndetshme. Në këtë mënyrë trupi juaj merr të gjitha lëndët ushyese që ka nevojë dhe gjithashtu do të çliroheni nga tmerri i ‘kufizimit ushqimor’ që mund të ketë një dietë.