Është zhvilluar për herë të parë në sheshin qendror të Durrësit panairi “Verë dhe traditë”, ku shumë kantina vere u prezantuan me prodhimet e tyre, duke tërhequr jo pak vëmendjen e qytetarëve.

Synimi i këtij panairi ishte të bënte bashkë prodhuesit e verës, të cilët janë të shumtë në numër, duke shërbyer si një mundësi shumë e mirë për promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit të Durrësit dhe të fshatrave turistikë përreth.

Njëkohësisht duke qenë në prag festash, ky panair shërben për të përçuar atmosferën festive tek qytetarët, por edhe turistët e huaj.  

Qytetarët që vizituan panairin patën mundësi të degustonin verërat e kantinave durrsake, por jo vetëm, pasi në panairin që mbështetej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte dhe shumë stenda të prodhuesve të vajit të ullirit, mjaltit etj.

Për organizatorët, ky panair është vetëm në edicionin e tij të parë, por synohet të kthehet në traditë në qytetin bregdetar.  

“Synojmë që vitin e ardhshëm të kemi më shumë pjesëmarrës në panair, sepse e gjitha kjo është një promocion shumë i mirë për qytetin”,– tha ndër të tjera drejtoresha e Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.

Përveç degustimit të produkteve të ekspozuara në stenda, qytetarët patën mundësi të argëtohen me tingujt e muzikës së koncertit që u mbajt në shesh. Të shumtë ishin ata që ia morën valles, duke sfiduar edhe temperaturat e ulëta të këtij fund dhjetori.

Sonte është nata e dytë dhe e fundit e panairit “Verë dhe traditë”.

M.B.