Kisha Katolike “Famullia e Shën Dominikut” ka organizuar një procesion festiv në rrugët e zonës së ish-Kënetës për t’u kujtuar të gjithëve arsyen kryesore të festës së Krishtlindjes: Mishërimin e zotit!

Duke ruajtur thjeshtësinë e lindjes së Jezusit, të shoqëruar me një statujë të fëmijës Jezus, drita, këngë dhe pankarta me mesazhe biblike, një pjesë të bashkësisë famullitare ka shtegtuar së bashku në prag të Krishtlindjes duke kujtuar misionin e Kishës: të sjellë Krishtin  “Drita e botës” te çdo njeri. 

Qëllimi kryesor i ecjes ishte që të përhapet sa më shumë devocioni ndaj misterit të Mishërimit të Zotit – qendra e besimit të krishterë – dhe për t’u kujtuar të gjithëve, dashurinë e Zotit ndaj nesh: “Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur (Gj 3, 16).