Esi Papajorgji është 31-vjeçari i cili sfidoi ujin e ftohtë të këtij fillim janari dhe kapi kryqin gjatë ceremonisë së zhvilluar në portin e Durrësit.

Papajorgji mori pjesë për të disatën herë në ceremoninë e kapjes së kryqit dhe këtë 6 janar i mundi 4 sfidantët e tjerë për të tretën herë. Për herë të parë, ai e kapi kryqin në vitin 2019, më pas triumfoi sërish në vitin 2022.

Për të, kjo ceremoni është kthyer në një ritual të përvitshëm.

Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur me qindra besimtarë ortodoksë në Katedralen e apostul Pavlit dhe shën Astit, të cilët ndoqën meshën e mbajtur me rastin e kësaj dite të veçantë. Shumë besimtarë, pasi ndoqën meshën, mbushën shishe me ujin e bekuar, i cili do të qëndrojë për një vit në shtëpitë e tyre.

Të shoqëruar nga tingujt e bandës së qytetit, karvani i besimtarëve u nis drejt portit, ku u krye rituali i përvitshëm i ditës së ujit të bekuar.

M.B.