Dëmtohet për të disatën herë monumenti “Sono persone/ Janë njerëz”, i cili i dedikohet eksodit të shqiptarëve nga porti i Durrësit, më datë 8 gusht 1991, në bordin e anijes “Vlora”.

Këtë herë, monumentit i janë dëmtuar disa pjesë të tekstit të shkruar në alfabetin mors, ndërsa për ironi të fatit, në njërën nga pllakat është lënë “kujtim” edhe një shishe birre.

Sipas dëshmitarëve, një nga pllakat që ka rënë përdhe ka mbi një javë që ndodhet aty, por deri më tani nuk është vënë dorë për ta rikthyer në vendin e saj. Ndërkohë, nga viti 1991 ka mbetur vetëm njëra nga 9-at, ndërsa 3 numrat e tjerë nuk dihet ku kanë përfunduar.

Monumenti i artistes italiane Jasmine Pignatelli shpeshherë ka pësuar dëmtime gjatë më pak se 3 viteve jetë, duke pasur kështu fatin e ngjashëm të shumë monumenteve të tjera të dëmtuara në qytetin bregdetar.

Në mars të vitit 2022, DurrësLajm” dëshmoi përmes pamjeve filmike se shumë nga shkronjat ishin hequr, ndërkohë që sipërfaqet e xhamit ishin shkarravitur e gërvishur.

Inaugurimi i monumentit “Sono persone/Janë Njerëz”, u bë më 5 gusht 2021 në praninë e përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor dhe qendror në Durrës, por edhe nga bashkia e Barit. Në të njëjtën kohë, simotra e këtij monumenti është vendosur edhe në Lungomaren e Barit, për të mbajtur të gjallë në kujtesën kolektive këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e dy popujve fqinjë, por edhe miq.

M.B.