Kryebashkiakja Emiriana Sako, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro kanë nisur sot një vizitë pune dy-ditore në Spanjë me rastin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin gjigand të turizmit “FITUR, Madrid”.

Kryebashkiakja, ministrja dhe kreu i qeverisë shqiptare u mikpritën nga kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez në një takim kokë më kokë, në zyrën e tij në Madrid.

Takimi më pas u pasua nga takimi i zgjeruar dypalësh mes dy delegacioneve.

“Madrid – Me kryeministrin, Edi Rama në një takim me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez një ditë përpara pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin e madh global të turizmit ‘FITUR Madrid’”, shkruan kryebashkiakja teksa ndan fotot nga takimet, në postimin e ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale.

Ditën e nesërme, delegacioni shqiptar do të marrë pjesë në çeljen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “FITUR 24” që do të bëhet nga Mbreti i Spanjës Felipe VI, ku do të prezantohet diversiteti i pasur turistik i vendit tonë, si një destinacion unik për t’u promovuar e vizituar.

Gjatë pjesëmarrjes në panair, delegacioni do të takohet me sipërmarrës dhe drejtues të kompanive prestigjioze botërore, si dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Turizmit.