Muaji shkurt ka nisur me një energji të jashtëzakonshme për deputetin e qarkut të Durrësit, Jurgis Çyrben, i cili përveç takimeve të njëpasnjëshme që bën thuajse çdo ditë me banorët e komunitetit të Ishmit dhe Manzës, tanimë në agjendën e ngjeshur do të jenë edhe banorët e Sukthit.
Pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste Durrës, deputetit Çyrbja përveç njësive Ishëm dhe Manzë i është besuar tanimë edhe Njësia Administrative Sukth, ku kanë nisur takimet e para në zonë për njohjen me problematikat, gjithashtu kanë filluar edhe investimet e para në Perlat dhe Rrushkull.
Çyrbja ka vijuar takimet me strukturat e Partisë Socialiste në Vardhë, dhe gjithashtu është ndalur për të diskutuar nga afër me të rinjtë dhe të rejat e lagjjes Stalla në Njësinë Administrative Sukth. Në këto takime deputeti shoqërohej nga kryebashkiakja Emiriana Sako dhe deputeti tjetër Alban Xhelili, takime për të cilat Çyrbja shprehet se zëri i çdo pjesëmarrësi është i dobishëm për t’u forcuar në çdo nivel strukturor.
“Takime të frytshme me synimin kryesor, fuqizimin e çdo strukture të partisë në çdo nivel! Të motivuar nga pjesëmarrja gjithnjë e në rritje e simpatizantëve socialistë!”, shkruan ai.
Ndërkaq, komuniteti i tij vogël, por me vlera të mëdhaja, Ishmi, nuk mungon në publikimet e përditshme në faqen e “Facebook”-ut të deputetit.
Nga takimet në fshatin Borç ku në disa nga zonat e fshatit do të rehabilitohen segmentet rrugore, te kosheret e bletëve në Fushë-Draç dhe në lagjen e Antenave në Manzë, deputeti i zonës na sjell disa foto dhe tregon se me njerëzit e punës bisedat janë gjithmonë të bukura dhe të larmishme.
“Në vazhdimësinë e takimeve në zonë, çdo problematikë e banorëve do të trajtohet rast pas rasti”, thekson ai.
Dhe në fund të fundjavës që sapo lamë pas, krahas fotove e bisedave të ngrohta që bëri në Ishëm më miqtë e tij, nga Manza cyrbja thotë se jo të gjithë banorët që takon në këtë zonë kanë qënë votues të Partisë Socialiste në zgjedhjet e kaluara, por të gjithë pa asnjë përjashtim janë dëgjuar dhe do dëgjohen me të njëjtin përkushtim.
“Dhe sot them me bindje të plotë që shumica absolute duartroket progresin e zonës dhe vullnetin e PS për të çuar në një tjetër nivel standardin e periferisë së Durrësit”.