Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim u vu në pranga nga policia në Shijak.
Blejdi Axha ishte një person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Parë në Durrës e kishte dënuar me 2 vite e 2 muaj burg për disa vepra penale: drejtim automjeti në mënyrë të parregullt, posedim i armëve të ftohta dhe thyerje të masës së sigurisë.
Njoftimi i policisë:
Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
I dënuar me mbi 2 vjet burgim, •për drejtim të automjetit, në efektin e drogës, •për posedim të armës së ftohtë dhe •për thyerje të masës së sigurisë, lokalizohet, kapet dhe ndalohet 25-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, për disa vepra penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kapën dhe vunë në pranga shtetasin Blejdi Axha, 25 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka dënuar shtetasin Blejdi Axha, me 2 vjet dhe 2 muaj burgim, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në janar të vitit 2022, nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, atij iu gjet 1 përforcues grushti.
Shtetasi Blejdi Axha iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.





