Rreth 1500 qytetarë nga Durrësi pritet t’i bashkohen protestës në Tiranë, të thirrur pasditen e sotme nga opozita.
Burime nga dega lokale e Rithemelimit në qytetin bregdetar bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se demokratët durrsakë që do t’i bashkohen protestës do të udhëtojnë drejt kryeqytetit me automjete private dhe nuk do të ketë nisje të organizuara.
Përveç demokratëve të qytetit, protestues pritet të nisen edhe nga njësitë administrative të bashkisë Durrës.
Nuk dihet ende nëse demokratëve të grupit të Rithemelimit do t’i bashkohen edhe përfaqësues nga grupimi tjetër i demokratëve, mbështetës të Lulzim Bashës.
Burime pranë degës lokale të këtij grupimi bëjnë të ditur se kushdo është i lirë të bëjë atë që ndjen dhe pjesëmarrja ose jo në protestë është zgjidhje personale e gjithësecilit.
Protesta kombëtare e opozitës është thirrur për t’u mbajtur në orën 17.30, para kryeministrisë.
Në Tiranë, përgatitjet janë drejt përfundimit për këtë tubim.
Policia ka vendosur gardh metalik përballë Kryeministrisë, në zonën ku do të mblidhen qytetarët.
Ndërkohë po vendoset edhe podiumi nga ku do të flasin krerët e opozitës.
Në protestë “i pranishëm” do të jetë edhe ish-kryeministri Berisha, i cili do t’u drejtohet qytetarëve me një video mesazh, pasi prej javësh ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
M.B.