Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bllokon me vetëdije dhe këmbëngulje të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në një postim në Facebook, Duka shkruan se ky bllokim i vetëdijshëm i Ramës është një dështim turpërues për shqiptarët, ndërsa i bën apel qytetarëve dhe opozitës së bashkuar që të ndalin “këtë dështim kombëtar”.

POSTIMI I DUKËS

Rama po bllokon me vetëdije dhe këmbëngulje të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Rilindja po rilind sjelljet vetë-izoluese të periudhës komuniste.

Prishja e frymës së konsensusit të 5 Qershorit dhe propozimet deformuese për listat apo koalicionet po bllokojnë çeljen e negociatave me BE. Ky bllokim i vetëdijshëm i Ramës është një dështim turpërues për shqiptarët.

Ministri problematik që keq-përdori djemtë problematikë për tërmetin elektoral në Dibër, vazhdon të ofrojë opsione problematike, pavarësisht nga tërmeti diplomatik që shkaktoi në 2017 vjedhja e votave në Dibër, por jo vetëm në Dibër.

PAA i bën apel opinionit publik në radhë të parë dhe opozitës së bashkuar që:

1. Të ndalin këtë dështim kombëtar;

2. Të eleminojnë cënimin e zgjedhjeve 2021 dhe

3. Të garantojnë që çdo proçes para, gjatë dhe pas zgjedhjeve 2021 do të:

a. përmbushë standartet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe

b. pasqyrojë të pa-deformuar dhe të pa-manipuluar vullnetin e lirë të çdo votuesi.