Nga Andi Bushati
Pasi vendosi të prishë marëveshjen e 5 qershorit, duke ndryshuar në mënyrë të njëanëshme kushtetutën dhe duke bërë manovra për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, Edi Rama u duk sikur e shmangu stuhinë e ndërkombëtarëve.
Nëse para se të hidhte këtë hap, të gjithë e kishin paralajmëruar se kjo gjë mund të pengonte integimin e Shqipërisë dhe marrjen e një date për nisjen e negociatave, Rama pompoi në shtyp disa deklarata deputetësh të Bundestagut dhe euro parlamentarësh që i mbështesnin ndërhyrjet brutale që votoi më 30 korrik, me ndihmën e sharlatanëve të pozitës së re.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë që, propaganda e rilindjes arriti të krijojë një kakofoni.
Nëse para ndryshimeve kushtetuese edhe zëra eminentë të CDU CSU-së kërcënuan se po të hidhej ky hap negociatat do të shtyheshin, nëse edhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varheley, bëri të qartë se Komisioni Europian nuk mbështet nismat për ndryshimin e sistemit zgjedhor disa muaj para zgjedhjeve, nëse edhe OSBE- ODHIRI, u shpreh haptas në këtë linjë, Edi Rama arriti të rekrutojë, pas faktit të kryer, disa zëra që i përshëndetën aktet e tij të njëanshme.
Në ato ditë të fillimit të pushimeve verore, të gjithë lakejtë pranë kryerilindasit dhe mediat e tij filluan t’i thurnin lavde politikanit qerrata dhe marifetçi, që di ta bëjë të bardhën të zezë, di ta servirë si të ngrënshme ndërkombëtarisht gjithçka që gatuan vetë, di të rekrutojë edhe në rangjet e larta të politikës europiane.
Disa përmendnin me mburje ndihmën që lideri global, i kishte dhënë Merkelit, për të zgjedhur në krye të komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, disa talentin e tij për të bërë për vete edhe deputetët e së djathtës gjermane dhe të gjithë së bashku duartrokisnin faktin se Rama është aq i zoti, sa ndërkombëtarët mund t’i pranojnë edhe shkeljet më të mëdha apo prishjen e deal-eve ku ata janë angazhuar si arbitra.
Në fakt, gushti kaloi, pushimet mbaruan dhe u pa që nuk është kështu.
Vizita e kryeministrit në Germani ishte një shpullë e fortë mbi fytyrën e qerratait të Tiranës.
Një informacion që “rrodhi” nga deputetët gjermanë për seksionin shqip të Deutche Welle, konfirmoi se takimin e tij të lobimit në Berlin, me grupun e CDU-CSU-së, e bojkotuan edhe kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann Wadephul edhe kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum.
Madje më e rënda qe se radioja zyrtare gjermane theksoi që shumica parlamentare nuk është e bindur se me Tiranën (ndryshe nga Maqedonia) duhet mbajtur konferenca e parë ndërqeveritare, pas ndryshimeve të befta kushtetuese dhe shkeljes së paktit të 5 qershorit.
Pra, gjithë kjo histori tregon një gjë të vetme. Sado marifetçi dhe pelivan të hiqet Rama për të rekrutuar ndonjë deputet, apo për të blerë ndonjë zyrtar perendimor, ai nuk ndryshon dot kurrë qëndrimin e institucioneve.
Dhe këtu fabula e kodoshit që arriti të amortizojë dredhitë që bëri për ndryshimin e kushtetutës është e njëjtë me filmin e vjetër që ne shikojmë përditë.
Aty del qartë se ky regjim i ka përgjithësisht me vete ambasadorët në Tiranë, por, ndërkohë, nxihet nga A tek ZH në raportet që bëjnë për Shqipërinë qeveritë e tyre.
Për të marrë vetëm një shembull, mjafton të shohësh raportet e departamentit të shtetit për liritë ekonomike, koncesionet dhe PPP, apo atë që flet për pafuqinë e shtetit për të luftuar bandat kriminale dhe trafikantët e drogës dhe ta krahasosh me atë që diplomatët që varen prej tij thonë në Tiranë.
Ndryshimi është kolosal.
Dhe kjo tregon se rekrutimi i një eurodeputeti, një diplomati apo një zyrtari nuk ka asnjë vlerë.
Kodoshi i Tiranës mund t’i manipulojë ata vetëm për t’i bërë pjesë të propagandës që shplan trurin e shqiptarëve, por në çdo rast, këto mashtrime nuk janë të mjaftueshme për t’i hapur Shqipërisë, dyert e perëndimit.
/Lapsi.al