Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka marrë pjesë ditën e sotme në një takim të organizuar nga Projekti Bashki të Forta.

Në rrjetet sociale, Sako shprehet se “Takimi kishte si qëllim kryesor zgjedhjen e kryesisë së Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake dhe hartimin e planit të punës për Perspektivat Kombëtare dhe Lokale, si dhe objektivat dhe shtyllat për mandatin 2024-2027 të Aleancës së Këshilltareve të Bashkive.”

Postimi i plotë:

Në takimin e organizuar nga Projekti Bashki të Forta, ku merrnin pjesë përfaqësuesja e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Sabine Piccard, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës së Bashkive, Adelina Farrici, Nënkryetarja e Aleancës së Grave Parlamentare, Etilda Gjonaj, kryetarja e Bashkisë, Lushnje Eriselda Sefa, si dhe përfaqësues të ambasadës zviceriane dhe anëtare të këshillave bashkiakë nga bashki të ndryshme të vendit.

Takimi kishte si qëllim kryesor zgjedhjen e kryesisë së Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake dhe hartimin e planit të punës për Perspektivat Kombëtare dhe Lokale, si dhe objektivat dhe shtyllat për mandatin 2024-2027 të Aleancës së Këshilltareve të Bashkive.

Në këtë event ndava përvojën e punës sime dhe të bashkisë që drejtoj lidhur me barazinë gjinore dhe e vura theksin në forcimin e mëtejshëm të rolit dhe përfaqësimit të grave në politikën vendore dhe kombëtare.