Në ditët tona, orientimi drejt arsimit profesional mbetet një nga kërkesat e kohës, pasi në përfundim të viteve të studimit, integrimi në tregun e punës është shumë më i lehtë.

Prezantimi i të gjitha përfitimeve që nxënësit e ciklit 9-vjeçar kanë nëse ndjekin arsimin profesional u realizua gjatë takimit të organizuar nga shkolla e mesme teknologjike “Hysen Çela” me përfaqësues nga Zyra Arsimore Vendore, bashkia Durrës, operatorët turistikë etj.

Në këtë shkollë studiojnë 830 nxënës, 420 prej të cilëve në degën “Hoteleri Turizëm”. Përqindja e të punësuarve pranë bizneseve turistike është mjaft e lartë.

“Rreth 80% e nxënësve të shkollës sonë, jo vetëm ata të degës “Hoteleri turizëm” janë të punësuar dhe në muajin maj edhe nxënësit e viteve të para arrijnë që të punësohen pranë bizneseve. Kemi krjuar rreth 360 marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha bizneset”,– thotë për “DurrësLajm” drejtoresha e shkollës, Blerina Dervishi.

Marsel Shkurta është maturant këtë vit, por ndërkohë ka qenë i punësuar part-time përgjatë gjithë viteve të shkollës. Për të, arsimi profesional ka qenë zgjedhja perfekte.

“Punoj kamarier prej 4 vitesh në një restorant në Durrës, që kur nisa vitin e parë dhe shpresoj ta vazhdoj edhe tani që mbaroj shkollën e mesme. Ka qenë zgjedhja perfekte, sepse arsimi profesional më ka dhënë mundësi të krijoj lidhje me bizneset, të kem mundësi të ndihmoj familjen, të mbaj veten time dhe në të ardhmen të hap një biznes timin.”

Vit pas viti, numri i nxënësve të ciklit 9-vjeçar që orientohen drejt arsimit profesional ka shënuar rritje të ndjeshme në Durrës.

“Jam e interesuar për degën e IT-së dhe mendoj se është një mundësi shumë e mirë për mua, pasi do të kem një profesion. Janë 5 nxënës të tjerë në klasën time që do të ndjekin arsimin profesional”,– na rrëfen Oliviana Çekrezi, nxënëse e klasës së IX në shkollën “14 nëntori”.

Këtë fakt e konfirmon edhe drejtoresha e ZVA, Amarilda Thërmija: “Tendenca është në rritje, fakti që të dyja shkollat e arsimit profesional në bashkinë Durrës operojnë me gati 50% të nxënësve të sistemit tonë arsimor do të thotë shumë’. Fokusi i nxënësve dhe prindërve është drejt arsimit profesional, sidomos në degët “Hoteleri Turizëm. “Administrim biznesi”. *IT” etj.

Përfaqësuesit nga bashkia, institucionet e tjera vendore si dhe operatorët turistikë që morën fjalën gjatë takimit theksuan nevojën gjithnjë në rritje që qyteti i Durrësit ka për krah pune, sidomos në sektorin e turizmit. Për këtë arsye, qasja e adoleshentëve drejt arsimit profesional mbetet një domosdoshmëri e kohës.

M.B.