Me rritjen e temperaturave të verës dhe shtimin e numrit të turistëve në qytet, po rritet edhe urgjenca për të adresuar problematikat që lidhen me kafshët e rrugës.
Këto të fundit, shpesh të braktisura ose të lindura në rrugë, luftojnë kundër urisë, sëmundjeve dhe neglizhencës, ndërsa në jo pak raste janë bërë edhe burim shqetësimi e incidentesh.
Prandaj, një grup vullnetarësh nga Shqipëria, Zvicra dhe Gjermania janë mbledhur sëfundmi në Fllakë të Durrësit.

Ata janë duke punuar për sterilizimin dhe kastrimin e kafshëve, sidomos atyre të rrugëve.
“Ky mision është shumë i rëndësishëm, sepse numri i kafshëve të rrugës është shumë i madh dhe pjellësia e tyre vjen nga kafshët me pronarë, të cilët nuk i mbajnë, por i hedhin ato në rrugë.
Përgjegjësia është e jona, duke filluar nga individi që i braktis në rrugë. Numri i kafshëve të rrugës është shtuar nga papërgjegjshmëria e njerëzve dhe nga mosfunksionimi i ligjeve“, thotë për “DurrësLajm” Xheni Muller Hasanaj, presidente e organizatës “Jeta, kafshët dhe njerëzit”.
Sipas saj, mbarështimi i pakontrolluar i kafshëve të rrugës nënvizon nevojën urgjente për ndërhyrje, që shkojnë përtej zgjidhjeve të përkohshme.
“Kafshët e rrugës nuk mblidhen, sepse ato janë lindur dhe rritur në rrugë. Kafshët që hidhen në rrugë, që janë përgjegjësi e pronarëve, duhet të merren masa për mbajtjen nën kontroll të tyre me ‘database’ nga bashkitë dhe shteti shqiptar“, thekson ndër të tjera ajo.
Jo vetëm pushteti lokal a qendror, një rol të rëndësishëm luajnë edhe vullnetarët, që për fat të keq janë shumë pak.
Dhe në ato pak, kryesojnë të huajt.
“Në të gjithë Durrësin, ne numërohemi me gishtat e dorës, aq pak jemi. Ka shumë pak vullnetarë, që të bëjnë diçka për kafshët“, tregon Zamira Kuçi, ndërsa një vullnetare e huaj shton:
“Jemi shumë të lumtur që kam ardhur, sepse mendoj se është një nevojë imediate për popullin tuaj këtu, pra kastrimi dhe sterilizimi i kafshëve, të shtëpisë dhe sidomos atyre të rrugës.”
Prandaj, në këto kushte e në këto kohëra, apeli është vetëm një.
“Uroj që dhe ne të sensibilizohemi dhe t’i ndjejmë kafshët. Të kthehemi nga humanizmi, si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët“, thotë Kreshnik Ndreka, vullnetar dhe “prind” i dy qenve.

K.Gj.





