Edicioni i 27-të i festivalit “Luajmë dhe Vallëzojmë” solli në Durrës vlerat më të mira folkloristike të vendeve të rajonit e më gjerë si pasuri e çmuar kombëtare e popujve.
Qindra fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi,Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Turqia, Rumania, Bullgaria, Ukraina, etj, kanë shpalosur folklorin e tyre nëpërmjet lojërave, këngëve e valleve popullore në sheshin “Liria” përpara qytetarëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë Durrësin.
Pasditen e së martës ata parakaluan përgjatë bulevardit “Dyrrah” drejt sheshit “Liria” ku dhanë për të gjithë të interesuarit programin artistik të përgatitur nga përfaqësuesit e çdo shteti pjesëmarrës.
Pasditen e sotme, të gjitha grupet pjesëmarrëse do të bëjnë një tjetër parakalim nga shëtitorja “Taulantia”, përgjatë bulevardit “Epidamn” deri tek sheshi “Liria”.





