Enti Rregullator i Ujit ka miratuar tarifat e reja të furnizimit me ujë dhe shërbimit të largimit të ujërave të ndotura për të gjitha bashkitë që mbulohen nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës. Një ditë më parë, tarifat e reja janë publikuar në Fletoren Zyrtare.
Duke iu referuar tabelave me tarifat e ndryshuara nga ERRU, klientëve familjarë në bashkinë e Durrësit dhe Shijakut do t’u rritet vetëm me 50 lekë tarifa fikse e shërbimit, e cila nga 150 lekë në muaj, bëhet 200 lekë në muaj.
Ndërkohë tarifat për furnizimin me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura nuk ndryshojnë, duke mbetur respektivisht 70 lekë për m3 dhe 50 lekë për m3.
Kësaj fature i shtohen edhe taksat e bashkisë, të cilat vijnë të llogaritura për çdo familje nga administrata e bashkisë.
Ato që pësojnë rritje janë tarifat për bizneset dhe entet publike. Referuar tarifave të reja të miratuara nga ERRU, çmimi për këto subjekte ndryshon si më poshtë:
KATEGORIA BIZNES (BASHKIA DURRES DHE SHIJAK)
Shërbimi i furnizimit me ujë ka qenë 130 lekë për m3, bëhet 140 lekë/m3
Shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka qenë 60 lekë për m3, bëhet 70 lekë/m3
Tarifa fikse e shërbimit ka qenë 150 lekë në muaj, bëhet 300 lekë në muaj
KATEGORIA ENTE PUBLIKE (shkolla, kopshte, çerdhe, institucionet shtetërore)
Shërbimi i furnizimit me ujë ka qenë 120 lekë/m3, bëhet 140 lekë/m3
Shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka qenë 60 lekë/m3, bëhet 70 lekën/m3
Tarifa fikse e shërbimit ishte 150 lekë/muaj, bëhet 300 lekë/muaj
“DurrësLajm” mëson se tarifat e reja hyjnë në fuqi në datën 15 qershor 2024 dhe ato do të pasqyrohen në faturën e po këtij muaji.
SHËNIM: Këto tarifa janë të vlefshme deri në 31 dhjetor 2026. Pas kësaj date, ERRU i rishqyrton tarifat dhe mund të bëjë ulje të tyre, t’i lërë kështu siç janë për një periudhë tjetër 2-vjeçare, ose mund t’i rrisë sërish.
M.B.











