Kur qyteti ende nuk ka nisur veprimtarinë e përditshme, ata fillojnë të marrin instruksionet e para se ku do të fokusohet puna e tyre. Ora shënon 07.00 dhe grupi i xhirimit të “DurrësLajm” po ndjek nga afër instruktazhin e efektivëve të Policisë Bashkiake.
Nën udhëzimet e dy përgjegjësve të kontrollit të territorit dhe qarkullimit rrugore, Aldo Vrioni dhe Ervis Quku, ata shpërndahen në destinacionet e përcaktuara qartë.
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit janë ndalesa e parë. Garantimi i rendit e sigurisë pranë shkollave dhe normaliIzimi i trafikut mbetet detyra e përditshme e efektivëve. Linda Kilica, inspektore në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, është një mes 8 efektiveve femra në radhët e Policisë Bashkiake Durrës. E integruar në këtë polici 3 vite më parë, dashuria për uniformën dhe respektimin e ligjit e ka udhëhequr përgjatë këtyre viteve.
“Gjithnjë kam pasur dëshirën t’i shërbej komunitetit, si dhe nevojave dhe kërkesave të qytetarëve duke qenë se jam dhe vetë pjesë e këtij komuniteti dhe i njoh problematikat në brendësi”,– thotë ajo.

Mes problematikave të shumëllojshme gjatë punës së përditshme, Linda vlerëson angazhimin maksimal të kolegeve femra për të shërbyer si një kolaudator për shuarjen e konflikteve mes qytetarëve durrsakë.
“Jam e mendimit që gjithnjë vajzat duhet të ndjekin ëndrrën e tyre. Nëse është pjesë e ëndrrës së tyre dhe e respektojnë uniformën, pa diskutim duhet ta ndjekin. Është gjëja më e bukur të bësh atë që ke pasion e dëshirë, sepse e bën me përgjegjshmërinë më të lartë”.
Një qytet me një popullsi mbi 300 mijë banorë numëron vetëm 80 efektivë të Policisë Bashkiake, ndërkohë që nevojitet një numër trefish më i madh, sidomos në periudhën qershor-gusht, kur popullsia në qytet 2 apo 3-fishohet. Intensiteti i punës së efektiëve rritet në mënyrë progresive gjatë sezonit veror. Me rreth 64 km vijë bregdetare që ka Durrësi, fokusi primar i punës do të jenë pikërisht zonat turistike.
“I kemi marrë të gjitha masat për të pasur një sezon sa më të mirë për turistët, me patrulla më të shpeshta në të gjithë vijën bregdetare. Problematikat janë të ndryshme si psh. humbja e fëmijëve, zënia e plazheve publike, shitësit ambulantë, ndotja e mjedisit etj.”,– thotë përgjegjësi i Kontrollit të Territorit, Aldo Vrioni.
Po ashtu, dyfishimi i numrit të mjeteve që qarkullojnë në rrugët e qytetit intensifikon kontrollet e efektivëve të sektorit të qarkullimit.
“Problematikat më të shpeshta që hasim gjatë punës sonë variojnë që tek parkimi i automjeteve në vende jo të përshtatshme duke bllokuar trafikun, kazanët e mbetjeve urbane që shpesh zihen nga automjetet e parkuara dhe nuk lejohet tërheqja e mbeturinave etj. Tani gjatë verës, fokusi ynë është rruga “Pavarësia” në plazh”,- përgjegjësi i Qarkullimit Rrugor Ervis Quku.
Vit pas viti, numri i efektivëve të Policisë Bashkiake është rritur dhe paralelisht është shtuar besimi i qytetarëve tek njerëzit me uniformë. Këtë e dëshmojnë edhe telefonatat e shumta në sallën operative.
Pas çdo rasti të denoncuar nga qytetarët nis verifikimi i menjëhershëm në terren.

Në secilën nga 22 parcelat e plazheve publike të Durrësit është vendosur tashmë sinjalistika përkatëse dhe tabelat informuese për qytetarët. Por përgjegjësi Vrioni ka një apel për plazhistët që freluentojnë plazhet publike.
“Të gjitha plazhet publike janë me vijëzimin jeshil dhe tabelat përkatëse. Dua t’i bëj një apel të gjithë banorëve, që të bashkëpunojnë me ne për t’i vendosur çadrat në mëngjes dhe për t’i hequr kur të largohen, sepse nëse çadrat vijojnë të lihen aty, hapësirat publike zaptohen nga vetë plazhistët dhe nuk u lihet hapësirë qytetarëve të tjerë”.
Një apel nuk mumgon edhe nga sektori i qarkullimit që duhet të garatojë qarkullimin normal të mjeteve, në pikat më të nxehta të trafikut në qytet.
“I kërkojmë të gjithë drejtuesve të mjeteve, që të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë, pasi na duhet mbështetja e tyre për një qarkullim sa më të lirë të mjeteve në qytet. Të mos parkojnë mjetet në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, që ka vendosur bashkia”.
Zbatimi me përpikmëri i detyrave, përgjegjshmëria e lartë në pune dhe gatishmëria për t’i dhënë zgiidhje problematikave të qytetarëve janë tiparet dalluese të çdo efektivi. Gjithsesi, momentet e vështirësive në punë nuk mungojnë.

Angazhimi i efektivëve në punë merr një rëndësi të veçantë, kur duhet të menaxhojnë mbarëvajtjen e aktiviteteve masive në qytet. I tillë ishte eventi kulturor ndërkombëtar “Luajmë dhe vall#zojmë” që mblodhi në Durrës qindra fëmijë nga shumë vende rajonale e evropiane. Për dy pasdite me radhë efektivët e turnit të dytë garantuan sigurinë e pjesëmarrësve në event dhe parakalimin e tyre nëpër bulevardet qendrore të qytetit. Një angazhim që kërkon kujdes maksimal, por përmbushur në formën më të mirë të mundshme.
Durrësi parashikohet edhe këtë vit të regjistrojë shifra rekord turistësh të huaj dhe mori eventesh kulturore e artistike. Prania e efektivëve të Policisë Bashkiake mbetet një hallkë e rëndësishme e gjithë zinxhirit institucional për të garantuar një sezon sa më të mbarë. Për të angazhuar maksimalisht efektivët, përgjegjës Vrioni ka një apel të veçantë.
“Këto janë 3 muaj që ne duhet të angazhohemi maksimalisht, të gjithë së bashku, që të kemi një sezon sa më të mirë për pushuesit dhe vit pas viti të kemi akoma më shumë turistë dhe sezone sa më të mira”.
M.B.





