Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Task Force për turizmin e ngritur pranë Prefekturës Durrës nisën sot një aksion në plazhin e madh për lirimin e hapësirave publike të zëna nga privatët.
Megjithëse në terren është vendosur sinjalistika e nevojshme për përcaktimin e plazheve publike, rastet e zënies së tyre nuk mungojnë. I tillë ishte ky plazh publik pranë Urës së Dajlanit, ku subjektet private që e kishin zaptuar debatuan me përfaqësuesit e Task Force, por në fund u detyruan të largojnë çadrat dhe shezlonet e vendosura në kundërshtim me ligjin.


“Aksioni i sotëm ka të bëjë me plazhet publike për t’i dhënë padyshim aksesin e duhur qytetarëve të Durrësit, por edhe gjithë pushuesve të huaj. Sikundër e shikoni, bregu i detit me pjesën e rërës është tepër i ngushtë dhe sigurisht që ka hapësirë për abuzime”,– deklaroi ndër të tjera Oltsen Gripshi, koordinator i Task Force-s.
Garantimi i jetës së plazhistëve përmes ngritjes së infrastrukturës së nevojshme si kulla vrojtimi çdo 80 metra dhe pajisja e tyre me roje bregdetare mbetet një prioritet, në kohën kur Durrësi pritet të regjistrojë numër rekord pushuesish. Por rojet bregdetare nuk janë të pranishme në 152 kullat e vrojtimit nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait.
“Kullat e vrojtimit janë shumë më mirë sesa vitet e tjera, pra kemi një lloj përmirësimi. Janë kullat e vrojtimit, janë edhe vrojtuesit. Padyshim që në mënyrë sporadike mungojnë vrojtuesit, por nuk është se mungojnë tërësisht, por në një moment të caktuar janë të larguar nga kullat e vrojtimit”,- tha Gripshi.
Në fokusin e aksionit të Task Force është edhe monitorimi i të gjitha vendbazimeve të mjeteve lundruese, nga të cilat funksionale deri më tani janë 6 të tilla.
“Në të gjithë gjirin e Durrësit nga Ura e Dajlanit deri në Përroin e Agait janë miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak 11 vendbazime, ndër to 6 janë funksionale, që janë edhe të certifikuar për të ushtruar veprimtarinë e tyre me mjetet motorike për argëtim”.
Aksioni i Task Force do të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe do të vijojë disa ditë.
M.B.





