Rikthehet në shëtitoren “Taulantia” mbretëresha e muzikës Rock ‘n’ Roll, Tina Turner dhe 3 këngëtarët e tjerë “Big” të rrokut.

Statuja e këngëtares së njohur, u thye në shtator 2022, në kohën kur në shëtitoren bregdetare po zhvillohej “Moto fest 2022”, eventi që mblodhi rreth 500 motoristë nga shumë vende të rajonit dhe Evropa.

Por mbrëmjen e së shtunës, statuja u rikthye në vendin e saj, së bashku me kolegët e famshêm të muzikës botërore.

Kuarteti i statujave të yjeve botërorë John Lennon, Bob Dylan, Mick Jagger dhe Tina Turner ka ndryshuar disa herë vend, që nga vitet 2010, kur u vendos fillimisht në ish-lulishten në hyrje të portit të Durrësit.

Punimet për ndërtimin e Velierës u bënë shkak që statujat të zhvendoseshin nga ai vend dhe për disa vite të qëndronin në një cep të oborrit të Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal.

Në verën e dy viteve më parë, kuarteti i skulpturave u vendos në shëtitoren “Taulantia”, ku tërhoqi menjëherë vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve të huaj, që ndalnin të shkrepnin foto.

Pas gati dy viteve mungesë, tashmë kuarteti është i plotë dhe plotësisht i restauruar.

Gati për adhuruesit e fotove…

M.B.