Durrësi është një nga qytetet, që vuan më shumë mungesën e parkimeve.
Për të zgjidhur këtë problematikë, që vijon prej vitesh, bashkia Durrës ka propozuar miratimin e zonave të administrimit të parkimit, të cilat do të jenë zona A & B, në të cilat parkimi i automjeteve në rrugë do të bëhet kundrejt pagesës, në varësi të periudhës së qëndrimit.
“Tarifat e propozuara për parkimin në rrugë me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora“,– bazuar në relacionin që bashkia Durrës u ka dërguar këshilltarëve bashkiakë, të cilët ditën e martë pritet të miratojnë propozimin e institucionit të qeverisjes vendore.
Zona A: Përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale.
Rrugët e destinuara për parkim me pagesë që përfshihën në zonën A, janë:
- Rruga “Taulantia”
- Rruga e “Currilave”
- Bulevardi “Epidamn”
- Bulevardi “Dyrrah”
- Rruga “Egnatia”
- Rruga “Mars 91”
- Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
- Rruga e “Dëshmorëve”
- Rruga “Adria”
- Rruga “Pavarsia”
- Rruga “Hafiz Ali Pogdorica”
Zona B: Përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.
Rrugët e destinuara për parkim me pagesë që do të përfshihën në zonën B janë:
- Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
- Rruga “Mujo Ulqinaku”
- Rruga “Stefan Kaculini”
- Rruga “Glaukia”
- Rruga “Hysen Kërtusha”
Pagesat për parkim duhet të aplikohen në fashën orare si më poshtë:
- Gjatë periudhës nga data 1 qershor deri 30 shtator ora: 08.00-20.00, e hënë – e djelë
- Gjate periudhës nga data 1 tetor deri 31 maj ora: 08.00-16.00, e hënë – e premte
- Jashtë fashës së orarit/ditëve të sipërcituara parkimi në rrugët e zonës A dhe B do të jetë pa pagesë përfshirë dhe rezidentët.
Parkimi publik në sheshe me pagesë
“Me ndryshimet që kanë ndodhur në territorin e bashkisë Durrës për shkak të investimeve publike të realizuara nga ana e bashkisë Durrës dhe nga institucione të tjera shtetërore, propozojmë që sheshet e destinuara për parkim me pagesë të jenë si më poshtë, sipas planvendosjes bashkëlidhur”,- shkruan bashkia në relacionin e përgatitur për këshilltarët bashkiakë.
Sheshet ku parkimi do të bëhet me pagesë:
- Sheshi prane Bar Portofino.
- Sheshet në rrugën “Mars 91” Durrës (dy sheshe).
- Sheshi ndodhur poshtë Urës së Dajlanit.
- Sheshi “Jorgji Ziu” tek Mauzoleumi i Dëshmorëve.
- Sheshi në territorin e brendshëm të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
- Sheshi pranë tregut industrial, në rrugën “Hysen Myshketa”
- Sheshi Vollga pranë Autoritetit Portual Durrës.
Tarifa e parkimit në këto sheshe publike do të jetë sipas përcaktimeve në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr.194 datë 22.12.2023 Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2024”.
M.B.