Parkimi me pagesë në shumë rrugë dhe sheshe të Durrësit pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt, pasi projekt-vendimi i hartuar nga pushteti lokal do të paraqitet për miratim ditën e martë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.

Por si dhe ku do të parkojnë rezidentët e zonave A dhe B të qytetit?

Në relacionin e përgatitur nga bashkia Durrës sqarohet se rezidentët e zonave A dhe B do të pajisen me vërtetimet përkatëse për rezident, ose më vërtetimin e abonimit për rezident, në mënyrë që të mund të parkojnë pa pagesë në rrugët kryesore të zonave A dhe B.

Për kategorinë rezident të cilët janë banor në zonën A do të pajisen me “Vërtetim për rezident” (ngjyrë e kuqe), ndërsa për zonën B do të pajisen me “Vërtetim për rezident” (ngjyrë e gjelbër), të përcaktuar në aneksin nr.3

Gjithashtu përsa i përket parkimit të rezidentëve në zonën A dhe B, është vlerësuar e nevojshme që kjo kategori duke paguar tarifë fikse vjetore prej 10.000 lekë, të ketë të drejtën e parkimit  në rrugët e destinuara për parkim publik me pagesë, brenda njësisë administrative ku është rezident vetëm për një automjet. Ky abonim vlen për rezidentët të cilët aplikojnë për tu pajisur me “Vërtetim abonimi për rezident” (të verdhë), vetëm për rrugët e destinuara për parkim me pagesë të cilat ndodhen brenda njësisë administrative ku ato janë rezident.

Duke paguar tarifën vjetore, rezidentët do të pajisen me një “Vërtetim abonimi për rezident” (të verdhë), sipas së cilit do të përjashtohen nga pagesa e tarifës së propozuar për parkimin me pagesë në rrugë, në varësi të kohës së qëndrimit”,- shkruan bashkia në relacion.

Njëkohësisht, në relacion sqarohet se të gjithë rezidentët duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës për t’u pajisur me vërtetimin që duan të përfitojnë.

“Kategoritë e përcaktuara në pikën a dhe b duhet të depozitojnë pranë bashkisë Durrës, Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Sektori i Transportit, dokumentacionin e përcaktuar në Aneksin nr.3, dhe do të pajisen respektivisht me vërtetimet përkatëse”,- shkruhet në relacion.

M.B.