Me 24 vota pro dhe 12 vota kundër Këshilli Bashkiak Durrës miratoi projekt vendimin për zonat e administrimit të parkimeve me pagesë në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit. Pavarësisht votave kundër të këshilltarëve të opozitës, propozimi i bërë nga bashkia për ndarjen e qytetit në dy zona të administrimit të parkimeve A&B u aprovua.

Këshilltarët e djathtë propozuan shtyrjen e kësaj pike për diskutim në një tjetër mbledhje, për përgjysmime të tarifave të parkimit, por edhe të abonesë vjetore, ndërkohë për këshilltarët e majtë pavarësisht se nisma nuk zgjidh përfundimisht problematikën e parkimeve në qytet është një hap i parë për t’i dhënë zgjidhje në të ardhmen problemit.

“Jemi vonë, por nuk jemi gati, Çfarë duhet të them me këtë? Nuk duhet ta ngrejmë shqetësimin në drejtimin është shtrenjtë apo është lirë, 1000 lekë më shumë apo 2000 lekë më pak. Problemi është që këtë çfarë ne po kërkojmë a arrijmë ta realizojmë qëllimin?”,- tha gjatë mbledhjes këshilltari Ardian Muka.

“Kemi 24 vite që ju themi, që në 24 vite nuk keni bërë asgjë për këtë qytet. Në vend që të ngushtoheshin rrugët, janë ngushtuar. Në vend që të mendohej për parkime, edhe në ato vende që ishin në bulevard u vendosën ato hekurat përpara bizneseve, që është një detaj që të gjitha bizneset e vuajnë”,- deklaroi kryetari i grupit të PD-së, Dritan Burgija.

“Në këtë pikë, edhe zoti Muka edhe zoti Burgija bëjnë mirë që i tërheqin vëmendjen bashkisë. Kjo është një pikë e fortë, që kërkon punë, që kërkon vëmendje dhe koha do ta tregojë sa do të jemi në gjendje që kjo masë e marrë nga ne të ndikojë deri diku pozitivisht. Që kjo nuk është zgjidhja e problemit, këtë e dimë”,- tha kreu i grupit të këshiltarëve socialistë Rolant Xhelilaj.

“Gjykojmë që transporti publik do të ishte ai që do të jepte një zgjidhje përdorimit ose mos përdorimit të mjeteve nga ana e qytetarëve. Kemi zonën A që është zona me nevralgjike e qytetit, aty ku janë dhe pjesa më e madhe e bizneseve, bare, restorante, që lidhen me sezonin turistik. Kjo zonë ka dhe pjesën më të madhe të punonjësve. Shumë punonjës janë të detyruar të marrin automjetet e tyre gjë që e bën të ngarkuar edhe transportin, edhe trafikun gjithashtu dhe nevojën për parkim.”,- tha këshilltari i djathtë, Joni Myshketa.

Brenda këtij viti, Durrësi pritet të ketë 400 vende të reja parkimi në parkimin e parë publik me kate që po ndërtohet tek Stacioni i Trenit, ndërkohë bashkia po punon për të përfituar një investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për unazën e qytetit.  

“Kemi nisur me ndërtimin e parkimit në hyrje të qytetit, i cili do të akomodojë rreth 400 vende parkimi. Procesi i punës atje ka shkuar mirë dhe besojmë që brenda vitit do të përfundojë si objekt. Hapi i tretë i cili do të ndihmonte shumë morfologjinë urbane të qytetit, por edhe lëvizshmërinë e automjeteve dhe qytetarëve është investimi për unazën e qytetit për të cilën kemi kërkuar investim pranë FSHZH-së dhe presim miratimin e aktit normativ, i cili bëhet në fund të këtij muaji ose në fillim të korrikut të marrim një përgjigje për fillimin e procedurave për këtë projekt”,- deklaroi kryebashkiakja Emiriana Sako (deklaratën e plotë të kryetares Sako për parkimet mund ta ndiqni këtu).

Gjatë mbledhjes u betua këshilltarja më e re e këshillit bashkiak Durrës Periana Kotri, që zëvendëson në këtë detyrë Alneida Rroshin, aktualisht drejtoreshë ligjore e bashkisë Durrës.

Të gjitha vendimet e tjera të mbledhjes së KB Durrës kaluan me shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm.

M.B.