Durrësi ka hyrë në pikun e sezonit turistik dhe institucionet vendore bëjnë bilancin e deritanishëm të arritjeve dhe i listojnë këto të fundit në postimet në rrjete sociale.

Në mbledhjen e fundit të Task Forcës Ndërinstitucionle për Sezonin Turistik, të mbajtur në Prefekturë, arritja numër 1 listohet “Largimi i shitësve ambulantë në vijën bregdetare”; ndërsa arritja nr.2 konsiderohet “⁠Largimi i lypësave nga zonat me ndjeshmëri të lartë turistike”.

Nga një vëzhgim i shpejtë që “DurrësLajm” bëri përgjatë vijës bregdetare dhe shëtitores “Taulantia” të dyja arritjet rezultojnë nul, pasi shitësit ambulantë popullojnë plazhin kudo, ndërsa lypësat shiihen ngado nëpër shëtitore.

Punë e mirë duket se është bërë në terren përsa i përket lirimit të hapësirave publike në plazhin e madh, pasi nga vëzhgimi që bëmë rezulton se sipërfaqet e rërës dedikuar qytetarëve respektohen. Ndërkohë, mirëmbajtja e tyre lë për të dëshiruar, siç shprehen shumë plazhistë për mikrofonin tonë.

Përsa i përket arritjes nr.4, përsa kohë mediet i kanë dyert e mbyllura nëpër institucionet publike dhe mbledhjet që zhvillohen në to, nuk mund të komentojmë lidhur me bllokimet apo gjobitjet e subjekteve në konflikt me ligjin për turizmin, sepse nuk na është përcjellë asnjë informacion në rrugë zyrtare.

Ndërsa arritjen nr.5 që lidhet me “⁠Mirërregullimin e qarkullimit në akset me instensitet të lartë trafiku pranë zonave turistike” , e provojnë më së miri drejtuesit e mjeteve që bllokohen në trafikun e rënduar të qytetit dhe akseve interurbane!

M.B.