Prej ditësh, pishina e vetme publike “Taq Dafa” gumëzhin nga zërat e vogëlushëve dhe notarëve profesionistë.
Përfundimi i rikonstruksionit me vlerë 10.8 milionë lekë u ka dhënë mundësi të gjithë adhuruesve të sportit të notit të ushtrohen për disa orë në pishinën e rikonstruktuar. Njëkohësisht të shumtë janë të vegjlit, që i janë nënshtruar kurseve ditore apo një mujore.
“Janë rreth 120 fëmijë që po mësojnë notin. Personat që vijnë 5 herë në javë për kurset e notit paguajnë 5000 lekë në muaj, së bashku me profesorin. Personat që bëjnë not amator paguajnë 200 lekë seancën që zgjat 1.5 orë”,– thotë për “DurrësLajm” trajneri Gjergj Ngresi.
Pjesëtarët e ekipit të notit të Teutës stërviten në korsi të veçanta të pishinës, ndërsa vogëlushët mësojnë lëvizjet e para nën kujdesin e instruktorëve.
Pishina me përmasa olimpike është e vetmja pishinë publike në Durrës, që mundëson zhvillimin e aktiviteteve kombëtare dhe mbarëkombëtare të notit.
E hapur në vitin 2015, pishina ka mirëpritur disa aktivitete të rëndësishme sportive, ndërsa në fund të gushtit në të do të zhvillohet kampionati kombëtar i notit, ku do të marrin pjesë rreth 300 notarë të ekipeve nga Shqipëria dhe Kosova.
Ekipi i Teutës synon të shpallet kampion për të gjashtin vit radhazi.
“Ekipi i Teutës ka 5 vite rresht që del kampion dhe këtë vit, pavarësisht se kemi pasur difekte në stërvitje sepse pishina ka qenë në rikonstruksion, prapë pretendojmë që të dalim në vend të parë”,- thotë trajneri Ngresi.
M.B.





