Dalin të tjera detaje nga ndryshimet që qeveria ka propozuar në ligjin për Urdhrin e Mjekut me qëllim shmangien e abuzimeve me pacientët.

Në bazë të këtyre ndryshimeve Anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, të cilët janë punësuar në një institucion shëndetësor publik, që ka përfituar statusin e autonomisë spitalore financiare, nuk mund të bëjnë kërkesë për t’u punësuar pranë një institucioni privat.

“Anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, të cilët janë punësuar në një institucion shëndetësor publik, që ka përfituar statusin e autonomisë spitalore financiare, nuk mund të bëjnë kërkesë pranë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar, për tu dypunësuar në një institucion privat”.

Kjo dispozitë ligjore prek bluzat e bardha të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si dhe 5 spitale të tjera në vend që u është dhënë karta e Autonomisë Menaxheriale Spitalore, si spitali memorial i Fierit dhe spitalet rajonalë Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Shkodër.

Ligji për Urdhrin e Mjekut ndryshoi pas asaj që u zbulua në Spitalin Onkologjik.

Ndryshimet ligjore prekin edhe shefat e shërbimeve të cilëve gjithashtu nuk u lejohet dypunësimi.