Boshatiset plazhi. Reshjet e shiut të regjistruara paraditen e sotme në qytetin e Durrësit kanë detyruar pushuesit të mos frekuentojnë vijën bregdetare.
Pamjet e marra ditën e sotme në plazhin e Currilave tregojnë shezllonet e boshatisura dhe çadrat e mbyllura.
Kjo është dita e parë, pas rreth dy muajsh, që plazhet e Durrësit janë pa pushues, pas të nxehtit afrikan që goditi vendin tonë në muajt korrik dhe gusht.
Ashtu siç paralajmëruan sinoptikanët, këtë javë vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe temperatura më të ulëta.
Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura si dhe kthjellime të herëpashershme.
Vranësirat priten të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurta shoqëruar hera- herës me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.
Në mesjavë pritet një kthesë e motit ku me kalimin e zonës me presion atmosferik të ulët vendin e saj e zë zona me presion atmosferik të lartë me origjinë nga Anticikloni Afrikan.
Përveç stabilitetit atmosferik dhe orëve të plota me diell, pritet edhe një rritje graduale e temperaturave.





