Pas braktisjes së plazhit për shkak të reshjeve të shiut, të regjistruara gjatë gjithë ditës së hënë, pushuesit i janë rikthyer sot vijës bregdetare të Durrësit.
Pamjet e marra nga operatori i “DurrësLajm” dëshmojnë plazhin e Currilave të mbushur plot me pushues vendas dhe të huaj, që i gëzohen banjove të diellit apo larjes në det.
Ulja me disa gradë e temperaturave është mirëpritur nga të gjithë, pasi i nxehti afrikan që kishte pushtuar Durrësin prej rreth 2 javësh e çoi termometrin deri në mbi 40 gradë. Jo vetëm gjatë orëve të mesditës, por edhe në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes temperaturat ishin gati-gati të papërballueshme, kjo dhe për shkak të lagështirës në ajër.
Sinoptikanët paralajmëruan një mot të paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu në dy ditët e para të javës, por më pas, duke nisur nga e mërkura, do të nisë përmirësimi gradual i kushteve të motit dhe rritja e temperaturave.
Duket se shprehja “vapa ikën me gushtin” nuk është më e vlefshme, pasi pavarësisht se po i drejtohemi fundit të muajit, ditët e nxehta nuk do të mungojnë.
Për ata që kanë zgjedhur këtë periudhë për të kaluar pushimet, moti pritet të jetë i qëndrueshëm dhe shumë i përshtatshëm për plazh.





