Qeveria shqiptare ka në plan që të rikthejë lejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri, afro tetë vjet pasi u detyrua të heqë dorë nga ideja si pasojë e protestave të shumta popullore.

Lajmi bëhet i ditur nga një projektligj i Ministrisë së Mjedisit i hedhur për konsultim publik në faqen zyrtare të qeverisë për konsultimet publike.

Projektligji, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, thotë në nenin 73 se në përgjithësi importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon.

“Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave,” thuhet në projektligj.

“Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni,” shtohet aty.

Ndërsa neni 74 lejon më tej kalimin në Shqipëri tranzit të “mbetjeve jo të rrezikshme”, për të cilat mjafton një leje e ministrit të Mjedisit.

“Jam absolutisht kundër,” deklaroi për BIRN Lavdosh Ferruni, aktivisti i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, grupi shoqëror joformal që luftoi me sukses fillimisht qeverinë “Berisha” dhe pastaj qeverinë “Rama” për të ndaluar importin e plehrave.

“Shqipëria duhet të vijojë të ketë një ndalim të plotë të importit të plehrave. Shkalla e rrezikut që bashkë me mbetjet e parrezikshme në Shqipëri të hyjnë edhe mbetjet e rrezikshme është sot njësoj e lartë siç ishte edhe më parë,” shtoi Ferruni. “Nëse qeveria do bëjë ndonjë gjë të vlefshme, ajo është që të merret me krizën aktuale mjedisore që u shkaktua nga politika e saj e incinerimit,” theksoi Ferruni, ndërsa shtoi se lejimi i importit të plehrave “vetëm sa do ta përkeqësonte këtë situatë”.

Shqipëria ka debatuar nisma të tre qeverive përgjatë njëzet viteve të fundit që synonin të lejonin importin e mbetjeve, që të gjitha, të dështuara për shkak të protestave popullore. Nisma e parë i takoi ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili miratoi një kontratë koncesioni për një impjant incinerimi për biznesmenin kontrovers italian Francesco Becchetti.

Në vitin 2011, qeveria e kryeministrit Sali Berisha miratoi një ligj për lejimin e importit dhe dha licenca për importime mbetjesh, sipas formatit të propozimit aktual. Kryeministri Edi Rama, në kohën kur ishte në opozitë, bëri fushatë gjerësisht duke premtuar heqjen e mundësisë për importin e ligjshëm të plehrave në Shqipëri, vendim që e mori në ditët e para të mandatit të parë në vitin 2013.

Në vitin 2016, Rama ndryshoi mendim dhe vendosi të lejojë sërish importin e plehrave. Projektligji u miratua në parlament, por u kthye nga ish-presidenti Bujar Nishani dhe ngeci pasi ish-aleati i Ramës, Ilir Meta dhe LSI, nuk lejuan rrëzimin e dekretit të Nishanit. Socialistët hoqën dorë nga nisma në vitin 2017 kur pranuan dekretin e presidentit.

Ferruni, i cili është një nga aktivistët e fushatës së vitit 2004, asaj të vitit 2011 dhe asaj të vitit 2016, i tha BIRN: “Do të fillojmë menjëherë të organizohemi kundër.”/BIRN