345 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti ii 26 nëntorit 2019 do të bëhen me shtëpi të re. Mëngjesin e së enjtes, në orën 09.00 nis shorteu më i madh publik që është zhvilluar në qytetin bregdetar për ndarjen e apartamenteve, të ndërtuara për familjet që humbën shtëpitë gjatë fatkeqësisë natyrore, që goditi qytetin 5 vite më parë.

Nesër dhe pasnesër (e enjte dhe e premte) është parashikuar nga bashkia e qytetit të zhvillohet shorteu publik për ndarjen e 345 apartamenteve 2+1, të ndërtuara në lagjen e re në Spitallë, ndërsa pak ditë më vonë, më 2 shtator, do të ndahen 154 apartamente 1+1.

Sipas burimeve zyrtare të bashkisë, ashtu si edhe në shortetë e tjerë publik, familjet e para që do të kenë mundësi të tërheqin goglat do të jenë ato që u përkasin kategorive prioritare (invalidë, pensionistë etj) dhe më pas do të vijohet me tërheqjen e goglave nga personat e tjerë përfitues.

Përfituesit, pjesë e kategorive prioritare, kanë afat deri ditën e sotme, 28 gusht, të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë njësisë administrative respektive.

Listën me emrat e 345 familjeve përfituese të publikuar në faqen e bashkisë Durrës e gjeni KETU

Disa javë më parë, kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjete sociale premtoi se banorët e Durrësit, të mbetur të pastrehë nga tërmeti, do të sistemohen në lagjen e re në Spitallë brenda muajit dhjetor të këtij viti.

Në sitin e ri të banimit në Spitallë janë ndërtuar 85 pallate 4 katëshe me 996 apartamente në total.