“Jemi drejt përfundimit të procesit të Rindërtimit në Durrës!”.
Kështu deklaroi sot nënkryetari i bashkisë Durrës, Gentian Kallmi para nisjes së shorteut publik, ku do të ndahet 345 apartamente, të ndërtuara në lagjen e re në Spitallë.
Ditën e sotme do të tërhiqen goglat nga vetëm 196 familje përfituese, ndërsa familjet e tjera do të marrin pjesë në shorte ditën e nesërme (e premte).
Durrësi është qyteti i goditur më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ende procesi i rindërtimit dhe sistemimit në të pastrehëve në shtëpi të reja nuk ka marrë fund.
Pritet që brenda një kohë të shkurtër, banorët përfitues të apartamenteve 2+1 dhe 1+1 të ndërtuara në Spitallë të sistemohen në shtëpitë e reja.
“Neve shumë shpejt do të na dorëzohen çelësat nga njësia zbatuese dhe banorët do të njoftohen përmes njësive administrative për tërheqjen e tyre. Është një proces që do të ndodhë shumë shpejt”,- tha nënkryetari Kallmi.
M.B.





