Kreybashkiakja Emiriana Sako iu uron sot të gjithë nxënësve të Durrësit e Shqipërisë suksese për vitin e ri shkollor, teksa urimin e saj e ka shoqëruar me lajmin e mirë të hapjes së dyerve të gjimnazit “Naim Frashëri”.
Kjo shkollë e mesme me shumë traditë në qytetin tonë, e cila u prish nga tërmeti i vitit 2019, është ndërtuar tërësisht e re dhe ofron kushte dhe standarte evropiane për 850 nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Kjo shkollë, pjesë e programit EU4Schools është financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.
“I uroj nga zemra nxënësve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë një vit sa më të mbarë e të suksesshëm shkollor. Një urim të veçantë për ata nxënës që ulen për herë të parë në bankat shkollore duke nisur rrugën e bukur të dijes.
Uroj mësueset dhe mësuesit për punën e tyre fisnike në përgatitjen e brezit të ri. Urime gjithashtu edhe prindërve në rrugën e përmbushjes nëpërmjet shkollimit, të ëndrrave më të mira që ata kanë për fëmijët e tyre.
Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë të Durrësit“, thuhet në urimin e Sakos.