Prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Shefqet Ndroqi” në Romanat të Bashkisë së Durrësit kanë protestuar në lidhje me vështirësitë që kanë fëmijët e tyre për të ndjekur procesin mësimor për shkak të largësisë. Duke qenë se shkolla e Romanatit përmbledh edhe fëmijët e fshatrave përreth, Drejtoria Arsimore e Durrësit ka përcaktuar se transport përfitojnë ato fëmijë që e kanë banesën mbi 3 km larg nga shkolla, ndërsa të tjerët duhet të shkojnë në këmbë.
Por prindërit e tyre shprehen se edhe distancat prej 2 apo 2,5 kilometrash nuk mund të përshkohen në këmbë nga fëmijët e tyre pasi rruga nuk ka trotuare dhe është e rrezikshme që të kalohet nga fëmijët si dhe në kushtet e rënduara atmosferike është e pamundur që të ndiqet procesi mësimor.
“Nuk arrin dot një fëmijë në klasë të dytë të vijë deri te shkolla, trecerek ore në këmbë pas asnjë kusht në rrugë. Kur autobusi të kalojë, edhe fëmija im të rrijë aty, imagjinon çfarë traume përjeton një fëmijë i vogël. Të gjithë fëmijët do pësojnë traumë. Do bojkotojmë mësimin, nëse autobusi nuk i merr fëmijët tanë. Do bllokohet mësimi për të gjithë”, shprehet një prind.
Ata i janë drejtuar me një kërkesë Bashkisë, Drejtorisë Vendore të Arsimit si dhe Njësisë Administrative që të mundësohet transporti për fëmijët e tyre, në të kundërt do të bojkotojnë procesin mësimor deri në zgjidhjen e kësaj problematike.
“Shoferi të marri pagesën e vet, është e drejta vet, por që fëmija im të vijë në shkollë, përndryshe unë nuk e sjell”.
“Urojmë shumë që të marrim një zgjidhje sepse është një problem për të ulëritur. Te fëmija është gjëmë e madhe t’i hiqet e drejta e transportit“, thonë prindërit.
Krah prindërve ishte dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak Durrës nga strukturat e Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj, e cila tha se fondet për të paguar transportin e fëmijëv nuk mungojnë, teksa akuzon pushtetin për largimin e të rinjve jashtë vendit.