Presidenti i klubit të futbollit “Iliria”, Nazmi Selmani së bashku me nipin Petrit Selmani janë liruar pasditen e sotme nga burgu.

Selmani u arrestua bashkë me djemtë e tij dhe një tjetër person pasi akuzohen se kanë kërcënuar me jetë Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Sipas informacioneve të marra nga avokatët e palëve mësohet se ka qenë vetë Duka i cili disa ditë më parë ka paraqitur në organet kompetente një deklaratë individuale me kërkese për falje të të arrestuarëve.

Në deklaratë Duka shkruan: “Ata dhe familjarët e tyre kanë shprehur pendesë të thellë për veprimin. Ndaj me vullnetin tim të lirë kam vendosur ti fal. Falënderoj organet kompetente për punën e bërë dhe shpresoj të marrin në konsideratë kërkesën time.”

Mesa duket kjo letër e Dukës ka qenë një rrethanë lehtësuese për presidentin e klubit Iliria që mbrëmjen e sotme ka lënë qelinë e paraburgimit.

Konflikti mes tyre ka ardhur pasi Selmani ka kërkuar që Duka t’i fusë një nga djemtë në kombëtare. Bëhet fjalë për Gentian Selmanin, që aktualisht është i angazhuar si portier në ekipin e Tiranës. 

Rreth orës 21:30 më 31 gusht 2024, Nazmi Selmani, dy futbollistët Santiago Selmani e Brajan Selmani dhe Redian Haxhi e Petrit Selmani kanë kërcënuar Dukën me anë të një mesazhi telefonik dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa. 

Po ashtu është zbardhur edhe mesazhi që presidenti i klubit të futbollit “Iliria”, Nazmi Selmani i ka dërguar Dukës.

Në mesazh thuhet: “…pyte nonën e kalamajve tuj pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt…”.

Lexo lajmin kryesor: