Fati i shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës mbetet ende i pavendosur.

Zbulimi mjaft i rëndësishëm arkeologjik, që doli në dritë gjatë procesit të hapjes së themeleve të gjimnazit pezulloi punimet dhe i hapi rrugë gërmimeve të shpëtimit.

Autoritetet vendore janë në pritje të vendimit që do të marrin institucionet kulturore për fatin e mëtejshëm të sitit arkeologjik, pas dorëzimit të relacionit nga ekipi i arkeologëve që udhëhoqi gërmimet.

Paraprakisht mendohet se shkolla nuk do të ndërtohet në gjurmën fillestare të saj, por në një hapësirë tjetër. Sinkron

“Ende nuk është bërë miratimi nga KKT-ja për rekomandimet e gjetjeve. Grupi i arkeologëve që është zgjedhur nga bashkia e Durrësit po bën raportin final për ta dorëzuar në KKTKM në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të marrë miratimet përkatëse. Në materialin paraprak, nga biseda që kemi pasur me arkeologët rezulton që një zonë e caktuar, ,me sipërfaqe më të vogël sesa sheshi, duke përjashtuar zonat e gjetjeve, mund të përdoret si truall për shkollën”,– deklaroi kryebashkiakja Emiriana Sako, duke iu përgjigjur interesimit të këshilltarit Joni Myshketa për fatin e mëtejshëm të gjimnazit ikonik të qytetit.

Nëse godina arsimore do të ndërtohet pranë gjetjeve arkeologjike, ajo mund të mos ketë të njëjtat përmasa sa gjimnazi i mëparshëm, por do të jetë pak më e vogël.

“Ajo që duam të bëjmë është të konceptojmë shkollën bashkë me një muze të hapur në natyrë. Pas miratimit nga KKTHM-ja do të marrim sitin, që arkeologët na e kanë lënë në dispozicion dhe do të bëjmë një ushtrim për të kompozuar atje objektin e shkollës duke marrë në konsideratë numrin e nxënësve dhe klasave që duhen dhe do të shohim a arrijmë dot të mbulojmë kërkesën e këtij gjimnazi në atë territor”,- tha Sako.

Gërmimet e nisura më datë 20 shtator 2023 zbuluan në një sipërfaqe rreth 1200 m2 vilën antike të shekullit të I & II të erës sonë, mozaikun floreal dhe një sërë gjetjesh të tjera më rëndësi të madhe arkeologjike. Sipas arkeologëve që kryen gërmimet, vila antike dëshmon rëndësinë që kishte në kohët antike qyteti bregdetar dhe nivelin e lartë ekonomik të familjes, që ndërtoi godinën luksoze.

M.B.