Në Forumin Bizantin të Durrësit ka një “vizitor” të veçantë, i cili jo pak ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.
Në një kohë kur në forumin rrethor po zhvillohet ekspedita arkeologjike e radhës, për të hedhur më shumë dritë lidhur me historinë e transformimit të këtij moonumenti gjatë rrjedhës së shekujve, aty është vendosur një vepër, që në pamje të parë i ngjan një roboti apo një krijese jashtëtokësore.
Vepra e artit është punim i skulptores durrsake Erisa Bekteshi dhe titulllohet “Unë apo ti?”.
Skulptura e punuar me hekur, fletë inoksi dhe 3 tuba në ngjyra të ndryshme është pjesë e edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit.
Eventi kulturor zhvillohet për herë të parë në Durrës dhe në këtë edicion fokusi do të jetë tematika “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.
Skulptura e artistes durrsake adaptohet më së miri me tematikën e bienales dhe në të njëjtën kohë përpiqet të krijojë tek artdashësit një perceptim sesi mund të jetë e ardhmja e afërt e njerëzimit me zhvillimin e teknologjisë robotike dhe inteligjencës artificiale.
Bienalja do të hapë siparin më 5 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor.
Për 54 ditë me radhë, 40 artistë nga 17 vende të botës do të jenë pjesë e edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor.
Veprat e artistëve pjesëmarrës do të ekspozohen në një sërë institucionesh dhe sitesh mjaft të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Durrësit, si Bashkia, Prefektura, Mauzoleumi i Dëshmorëve, Galeria e artit pamor “Nikolet Vasia”, Amfiteatri, Kulla Veneciane, Forumi bizantin, Vila e mbretit Zog etj.
Një pjesë e konsiderueshme e veprave të artit të artistëve pjesëmarrës kanë nisur të vendosen në hapësirat e dedikuara pavioneve përkatëse të shteteve, ndërsa puna vijon që gjithçka të ketë gati për datën 6 tetor, kur pikturat, skulpturat apo instalacionet do të jenë të vizitueshme nga kushdo.
Pak ditë më parë, në sallën ceremoniale të Vilës së Zogut nisën të vendoseshin vepra të piktorëve nga Suedia,
Vila, e cila prej kohësh qëndron e mbyllur, do të jetë e hapur për vizitorët përgjatë gjithë ditëve të kohështrirjes së Bienales.
M.B.