Muzeu Arkeologjik i Durrësit pritet të hapë dyert pranverën e vitit të ardhshëm.
Që nga fund shtatori i vitit 2022, ai është mbyllur për t’iu nënshtruar restaurimit, pas dëmtimeve që mori nga tërmeti i 5 viteve më parë.
Restaurimi i Muzeut Arkeologjik po bëhet me fondet e BE-së në vlerën 2.7 milionë euro, në kuadër të programit EU4Culture.
Fillimisht, ishte parashikuar që punimet e restaurimit do të zgjasnin 11 muaj, por më pas u shtynë me 11 muaj të tjerë.
E pranishme në ceremoninë e hapjes së Hamamit të Durrësit, monument ky që iu nënshtrua restaurimit të plotë, zv/ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pipa, dha lajmin e mirë për hapjen e Muzeut Arkeologjik.
Për dy vite rresht, turistët e huaj nuk kanë të privuar nga vizita në Muzeun Arkeologjik, por kjo gjë pritet të mos ndodhë gjatë sezonit turistik të vitit 2025.
“Lajmet e mira janë që kjo godinë do të hapë dyert shumë shpejt për qytetarët dhe për turistët vitin që vjen. Shpresojmë brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen. Ecuria e punimeve po ecën shumë mirë. Ky është një xhevahir më shumë që i shtohet jo vetëm Durrësit, por edhe Shqipërisë.
Shpresojmë se brenda muajve prill-qershor do të jetë gati”,- tha Pipa, duke iu përgjigjur interesimit të “DurrësLajm”.
Pas tërmetit të vitit 2019, BE u angazhua me një program të veçantë për restaurimin e siteve arkeologjike dhe historike si dhe muzeve, që mbetën të dëmtuara nga lëkundja sizmike në vendin tonë.
Në Durrës, përveç Muzeut Arkeologjik, restaurimit iu nënshtruan edhe Torra Veneciane, Hamami etj.
Para pak kohësh, punimet e restaurimit nisën edhe në Muzeun Etnografik të qytetit, apo siç njihet ndyshe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut.
Në momentin kur u mbyll, Muzeun Arkeologjik të Durrësit e kishin vizituar në periudhën janar-shtator 2022 rreth 12 mijë turistë.