Bashkia e Durrësit ka reaguar pas motit të keq të orëve të fundit, që ka përfshirë qytetin.
Nëpërmjet një njoftimi institucioni i bashkisë Durrës, bën me dije se janë marrë të gjitha masat dhe janë në monitorim të situatës për të parandaluar çdo lloj rreziku të mundshëm.
Njoftimi i plotë:
Gjatë gjithë kohës jemi në terren për tu përballur me çdo situatë që mund të krijohet nga reshjet e dendura.
Situata në Hidrovor është normale dhe të gjitha ekipet tona janë në ndihmë të komunitetit për çdo problematikë. Strukturat e bashkisë së Durrësit janë të angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve. Policia Bashkiake, ekipet e emergjencave civile dhe të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve janë në terren për të kryer mirëmbajtjet e duhura aty ku ka nevojë për ndërhyrje emergjente.
Vijon kontrolli i vazhdueshëm i sistemeve të kanaleve kulluese dhe gjendjes funksionale të hidrovorëve, po monitorohet vazhdimisht argjinatura e lumenjve (Erzen dhe Ishëm), digat e ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve katastrofikë si dhe janë në gatishmëri të gjitha kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore të forcave operacionale për përballimin e çdo situate të mundshme.
I bëjmë apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë probleme nga situata emergjente që mund të krijohet nga reshjet e shiut të telefonojnë në këta numra telefoni:
068 520 0696
069 360 6222