Viti i ri akademik ka nisur mëngjesin e sotëm në të 5 fakultetet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Pas mbylljes të raundit të dytë të regjistrimeve,  studentët e viteve të para janë ulur për herë të parë në auditore duke nisur një rrugëtim të ri në fushën e dijes.

Kjo jave e parë do të jetë e fokuuar drejt orientimit të studentëve në degët dhe programet përkatëse. Ndërkohë regjistrimet nuk janë mbyllur akoma, kështu që ata që nuk kanë mundur të përzgjedhin një degë për të ndjekur studimet e larta kanë ende kohë për të bërë zgjedhjen e tyre.

“Rreth 1600 studentë të vitit të parë janë regjistruar deri më tani dhe deri në përfundim të raundit të tretë të regjistrimit synohet të arrihet shifra 1900 studentë, ose 10% më shumë sesa viti i kaluar”,- thekson rektori i UAMD-së, Shkëlqim Fortuzi .

Këtë vit të ri akademik, në Fakultetin e Biznesit është shtuar një degë e re “Ekonomia Qarkulluese dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, ndërsa asnjë nga degët ekzistuese nuk rrezikon të mbyllet në të 5 fakultetet.

Një risi për Fakultetin e Biznesit është kurrikula në anglisht, krahas asaj në gjuhën shqipe, gjë që u jep mundësi studentëve nga vende të huaja të ndjekin studimet pranë Universitetit të Durrësit.

“DurrësLajm” mëson se degët me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar janë Infermieri e përgjithshme, Financë-Kontabilitet, Shkenca Kompjuterike, Drejtësi, Teknologji Informacioni, Edukim për moshën 0-3 vjeç dhe Teknologji automobilash.

Dega e Infermierisë mbetet ende ndër më të preferuarat, nisur edhe nga nevojat e tregut të huaj për infermierë. Për të nuk ka më kuota të lira. Ndërkohë degët e preferuara tradicionalisht si financa apo juridiku vijon të mbeten në toplistën e programeve të studimit, që ndiqen në masë të madhe nga studentët.

Për stafin akamedik regjistrimet kanë qenë në kuota të kënaqshme dhe në total UAMD në të dy ciklet e studimit Bachelor dhe Master numëron rreth 18.200 studentë.

M.B.