Kanceri i gjirit është një nga sëmundje, që prek më së shumti vajzat dhe gratë dhe çdo vit diagnostikohen në mbarë botën rreth 2.3 milion raste të reja.
Në Durrës, shifrat e tre viteve të fundit të pacienteve të diagnostikuara me këtë sëmundje flasin për 50 raste të reja çdo vit.
Por ajo që është më shqetësuese për mjekët onkologë është ulja e moshës së pacienteve, që preken nga kjo sëmundje.
“Ajo që kemi vënë re është një rritje e rasteve të reja në moshë më të re. kemi vënë re ulje të moshës së diagnostikimit me kancer gjiri. Nëse më përpara flisnim për një fashë ndërmjet 50-60 vjeç, tani kemi raste të diagnostikuara me kancer gjiri dhe në moshën 30-40 vjeçe”,- thotë për “DurrësLajm” mjekja onkologe Besmira Malaj.
Tetori njihet në të gjithë botën si muaji rozë dhe i dedikohet fushatave të shumta ndërgjegjësuese për parandalimin dhe diagnostikimin e kancerit të gjirit.
Fushata e këtij viti ka sloganin “Ia vlen të jetosh”, por pavarësisht apeleve të institucioneve shëndetësore, rastet e reja të prekura nga kjo sëmundje zbulohen kryesisht në një stad të vonë.
“Pavarësisht apeleve që ne bëjmë dhe njohurive mbi kancerin e gjirit, kjo sëmundje vazhdon të diagnostikohet në stade të avancuara. Janë shumë të rralla rastet, të cilat ne i kapim në stade shumë të hershme”.
Përgjatë gjithë këtij muaji, pranë Spitalit Rajonal të Durrësit ofrohen mamografi falas nga e hëna në të shtunë, në fashën orare 08.00-18.00. Mjekja onkologe, Besmira Malaj apelon për kontrolle periodike, që në moshë të re.
“Sipas të gjitha shoqatave evropiane dhe amerikane të onkologjisë rekomandohet kryerja e një ekzaminimi të gjrit që në moshën 20-22 vjeçe. Ndërsa rekomandohet kryerja e mamografisë për herë të parë pas moshës 40 vjeçe, deri në fund të jetës. Përgjithësisht 40-70 vjeçe është e rekomanduar kryerja e mamografisë një herë në vit apo çdo dy vite, në varësi të gjetjeve që ne bëjmë pas mamografisë së parë”.
Deri në fund të këtij muaji, mamografia kryhet falas pranë Spitalit Rajonal Durrës prandaj të gjitha vajzat dhe gratë duhet t’i kushtojnë vetes vetëm pak minuta për të kryer kontrollet rutinë, që mund të shpëtojnë jetë.
M.B.