42% e totalit të 17 mijë vaksinave të gripit të planifikuara për popullsinë e Durrësit është marrë tashmë nga qytetarët.

Ndërkohë që situata me virozat është e menaxhueshme nga stafet mjekësore të Qendrave Shëndetësore të qytetit dhe njësive administrative, mosha e tretë tregon interesin më të madh për t’u vaksinuar. 

“Të gjithë shfaqin interes për t’u vaksinuar, mosha e tretë sidomos. E kemi vënë re që çdo vit kërkesa është në rritje. Paraqiten në fund të shtatorit, fillim të muajit tetor në çdo qendër shëndetësore për të kryer vaksinën e gripit”,– deklaron drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës, Aurora Hyka.

Fluksi i pacientëve të moshës së tretë vijon në të gjitha qendrat shëndetësore, pasi të moshuarit e konsiderojnë një masë të shtuar mbrojtëse bërjen e vaksinës.

Por cilat janë simptomat që shfaqin pacientët e prekur nga gripi stinor.

“Dhimbje fyti, dhimbje koke, temperaturë jo shumë e lartë, dhimbje muskujsh, debulesë etj. Në disa raste prek edhe traktin gastro intestinal”,– thotë mjekja e familjes Doriana Shabani.

Të moshuarit janë grupmosha që e merr rregullisht çdo vit vaksinën e gripit dhe siç deklarojnë dhe vetë ajo ka qenë një faktor mbrojtës për të mos u sëmurur gjatë stinës së ftohtë.

Vaksina e gripit ofrohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit përgjatë muajve tetor-nëntor, që janë edhe periudha më e favorshme për ta bërë vaksinën.

M.B.