Efektivë të policisë së Durrësit mbërritën në orët e para të mëngjesit të sotëm, tek një ndërtesë 6 katëshe në zonën e plazhit për të konfiskuar godinën dhe nxjerrë nga pallati familjet që banojnë aty.

Bëhet fjalë për një ndërtim për të cilin rreth dy vite më parë Gjykata ka dhënë vendim sekuestro preventive fillimisht dhe më pas konfiskim, pasi rezultonte në pronësi të shtetasit Pëllumb Tuda, një emër i njohur për drejtësinë, që akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Shfrytëzim prostitucioni’.  

Sipas organeve ligjzbatuese, pronari i saj e ka vënë pasurinë me para të siguruara nga aktiviteti i tij kriminal.

Por sipas familjarëve të Tudës, 3 katet e fundit të godinës, që janë të destinuar për banim janë ndërtuar me lekët e punës në emigracion.

“I kam bo shtëpitë me djersën e ballit. Kanë punu 30 vjet që i kemi bo. Tu shku, tu ardh nga jashtë shtetit i kemi bo”,- deklaroi Bajame Tuda, nëna e Pëllumb Tudës.

Ndërkohë, sipas avokatëve mbrojtës të rreth 20 familjeve që banojnë në 3 katet e banimit, policia po tenton të nxjerrë nga pronat familje me persona të moshuar dhe të sëmurë.

“Nuk ndodh në asnjë të botës, që personat që sot dalin dhe kërkon t’i nxjerrë policia rreth 60-70% ndodhen jashtë Shqipërisë dhe kanë dyert e blinduara, kapitalet, gjakun dhe djersën e viteve që kanë kaluar në emigrim. Problem tjetër është që nuk mund t’i kundrejtohet një ekzekutimi i titullit gjyqësor që është për konfiskimin e pasurive atyre të cilët nuk janë pjesë në procesin civil të hetimit dhe sekuestrimit”,- tha ndër të tjera avokati Baftjar Rusi.

Familjet që banojnë në këtë godinë janë kryesisht familjarë të Pëllumb Tudës dhe nuk disponojnë certifikatë pronësie, pasi apartamentet janë në proces legalizimi.

Vendimi për konfiskimin e hotelit “Colombo,” me vlerë rreth 1 milion euro, është dhënë në vitin 2022 nga Gjykata e Durrësit dhe më pas është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Aktualisht çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.

M.B.