Mbërriti mëngjesin e së hënës në radën e portit të Durrësit dhe tashmë kur kanë kaluar më shumë se 72 orë nuk dihet ende edhe për sa kohë do të qëndrojë aty.
Bëhet fjalë për anijen e shumëpërfolur “Moliva”, e cila ka në bordin e saj 102 kontenierë, që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme.
Prokuroria e Durrësit i kërkoi një sërë institucionesh sekuestrimin dhe monitorimin e rreptë 24 orë me kamera të kontenierëve, por në përgjigjen zyrtare, Autoriteti Portual vë në dijeni organin e akuzës se nuk mund të sigurojë një kalatë me mbikqyrje 24 orë.
Autoriteti Portual nuk ka kapacitetin logjistik të mbajë në kalatë anijen “Moliva”, pasi porti i Durrësit importon dhe eksporton produkte të ndryshme, midis tyre edhe ushqime. Logjistika e portit është në dispozicion të produkteve të ndryshme dhe futja e 102 kontenierëve me mbetje që mund të jenë të rrezikshme nuk mund të sigurohet nga APD.
Kontenierët që besohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, u nisën nga porti i Durrësit në korrik të këtij viti dhe kishin si destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi ngarkesën pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit”.
Në një deklaratë për mediat dhënë ditën e hënë, Jim Pocket, drejtor i këtij rrjeti, përshëndeti vendimin e prokurorisë dhe kërkoi transparencë në hapjen e 102 kontenierëve.